×
  • Lajme
  • Lajme / Dyshimet për keqpërdorime

    Sllovenia ia dorëzon Serbisë hetimin penal për Martin Berishajn në skandalin GEN-i

    Reporteri
    10 Korrik 2025 | 7:48
    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

    Prokuroria Speciale e Sllovenisë ka përmbyllur hetimin për bashkëpunimin mes kompanive të Martin Berishajt dhe ndërmarrjes Gen-i Beograd, në periudhën kur grupin Gen-i e drejtonte kryeministri aktual, Robert Golob.

    Pasi ka përfunduar fazën paraprake, prokuroria ka konstatuar dyshim të bazuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo besimit në veprimtari ekonomike, por ka vendosur që çështja t’i dorëzohet autoriteteve serbe, pasi personi i dyshuar është shtetas i Serbisë dhe dyshohet se vepra është kryer në territorin serb, raporton Radiotelevizioni i Sllovenisë.

    Gjatë procedurës është konstatuar se të gjitha provat përkatëse ndodhen në Serbi dhe se Republika e Serbisë nuk i ekstradon shtetasit e saj. Për këtë arsye, autoritetet sllovene ia kanë transferuar rastin prokurorisë kompetente në Serbi me kërkesë për marrje në ndjekje penale.

    Prokuroria sllovene nuk ka dhënë më tepër detaje, duke theksuar interesin e ruajtjes së hetimeve dhe të dhënave personale.

    Skandali shpërtheu tre ditë para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Slloveni, kur u publikuan dokumentet e një agjencie të huaj kundër pastrimit të parave, ku përmendeshin pagesa nga Gen-i Beograd për dy kompani të Berishajt, të regjistruara në Kosovë dhe Mal të Zi, me të njëjtin emër – MB Consulting.

    Sipas të dhënave, Gen-i Beograd i transferoi në disa këste më shumë se dy milionë euro kompanive të Berishajt, ndërsa ai thuhet se ka tërhequr pothuajse 1.8 milionë euro në para të gatshme. Kjo ka ngritur pyetje në opinionin publik lidhur me natyrën e shërbimeve që ka ofruar Berishaj, i cili me profesion është politolog, dhe arsyet e tërheqjes së shumës së madhe në cash, raporton tutje mediumi.

    Kontratën me Berishajn e kishte nënshkruar Borislav Antoviq, këshilltar financiar në Gen-i Beograd, i cili është shprehur se nuk mund të japë deklarata pa lejen e punëdhënësit.

    Ndërkohë, drejtuesi i atëhershëm i Gen-i Beograd, Igor Koprivnikar, ka sugjeruar që pyetjet t’i drejtohen zyrës për marrëdhënie me publikun në Gen e cila gjithashtu ka deklaruar se nuk ka informacione mbi këtë procedurë.

    Kryetari i bordit të Gen-i Sllovenia, Maks Helbl, ka deklaruar publikisht në shkurt të vitit 2023 se pagesat për Berishajn përfaqësonin 0.5% të vlerës së kontratave për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, ku Berishaj kishte ndihmuar përmes informatave mbi gjendjen e sistemit energjetik dhe rreziqet e tregut.

    Vetë Berishaj, para një komisioni hetimor parlamentar në Kosovë, ka theksuar se ai ka ofruar këshilla politike mbi strategjitë e kompanisë, pa pasur rol të drejtpërdrejtë në shitjen e energjisë.

    “Unë e këshilloja se si duhet të vepronte politikisht kompania. Nuk kam pasur të bëj me shitjen e energjisë, por u jepja një këndvështrim politik për strategjitë që ka një shtet në një situatë të caktuar,” tha ai në nëntor të vitit 2022.

    Lidhur me dyshimet për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe raportim të rrejshëm të pasurisë, Berishaj, pasi ishte intervistuar në mars të vitit të shkuar, është intervistuar sërish nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 26 qershor të këtij viti.

    Ndaj Martin Berishajt prokuroria kishte nisur hetimet edhe për keqpërdorim të procesit të transportimit të votave të qytetarëve të Kosovës për votat nga diaspora.

    Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!