×
  • Lajme
  • Lajme

    Telekomi e Z-Mobile merren vesh për shtyrjen e afatit të përmbarimit të borxhit

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 17:38

    Pas një takimi të gjatë mes Menaxhmentit të Telekomit dhe Z-Mobile në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, palët janë pajtuar që të shtyhet afati i përmbarimit të pagesës për Z-Mobile.


    MZHE njofton se palët pas një diskutimi u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi.

    Komunikata e MZHE-së:

    Sot, komiteti ndërministror për ndërmarrje publike, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka ftuar në takim pune bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile).

    Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi dhe Zv. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bekim Jupa.

    Kërkesa e komitetit ndërministror ishte që të krijohet një mundësi e re për të dyja palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre dhe pa presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë. Borxhi ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë moment edhe është i pakontestueshëm.

    Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borxhi. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime.

    Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare eBordit, janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z Mobile, sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar. Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor 2019.

    Palët janë shprehur të bindura se kjo qasje nënkupton mënyrën më të mirë për të ecur përpara, duke i mbrojtur interesat e të dyja ndërmarrjeve, si dhe duke respektuar ligjshmërinë e obligimeve kontraktuale.

    Anëtarët e Komitetit janë zotuar të shikojnë opsionet e garantimit nga Qeveria të kredisë investive për Telekomin.

     

    Borxhi që Telekomi ia ka Z-Mobile-it llogaritet në afër 26 milionë euro.

    Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që t’i mbledhë 40 nënshkrime, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme rreth gjendjes në Telekom, për të martën më 14 maj. 

    Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj dje takoi drejtorin ekzekutiv të Telekomit Bedri Istrefi me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në kompani.

    Ndërsa pas këtij takimi reagoi Z-Mobile, kompani e cila tha se “gjatë gjithë kohës kanë shpresuar se mosrespektimin e kontratës do ta zgjidhnin ndryshe e jo përmes Tribunalit të Arbitrazhit”.

    Ndryshe pas krizës në Telekom dhe kërcënimit nga Z-Mobile, kryeshefi i kësaj ndërmarje, Bedri Istrefi, ka thënë se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!