×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi arrin në Hagë për t’u intervistuar nesër nga Specialja

    Reporteri
    12 Korrik 2020 | 18:17

    Presidenti Hashim Thaçi, tashmë ka arritur në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.


    Klan Kosova mëson se rreth orës 15:00, ai është nisur nga aeroporti i Tiranës për t’u intervistuar nesër në Hagë ku do të mbrohet nga avokati britanik Geoffrey Nice, dhe se tashmë ka rritur atje.

    Njoftimin se të hënën (13 korrik, 2020) do të udhëtojë për në Hagë, Thaçi e bëri përmes llogarisë së tij në Facebook.

    Sot (12 korrik, 2020) është mbajtur një mbledhje e Këshillit Kombëtar të Sigurisë nën kryesimin e Kryeministrit Avdullah Hoti, ku është diskutuar mundësia e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së Covid-19 në vend, dhe në këtë takim nuk ka qenë prezent Presidenti Hashim Thaçi.

    Kryeministri Hoti konfirmoi në konferencë se Thaçi nuk ka marrë pjesë në takimin e lartpërmendur.

    Kujtojmë se më datë 24 qershor, 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Në propozim-aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në propozim-aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

    Në dhjetor të vitit 2011, senatori zviceran Dick Marty publikoi një raport në Këshillin e Evropës ku përmenden disa ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të përfshirë në krime lufte.

    Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!