×
  • Lajme
  • Lajme

    U tha se udhëtoi për intervistim në Hagë: Veseli flet për një tribunal tjetër

    Reporteri
    04 Maj 2019 | 19:21

    Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është kthyer në Prishtinë nga Sllovenia, dhe ka mohuar të jetë ftuar në Hagë për intervistim nga Gjykata Speciale. Ai sot ka vazhduar me një aktivitet që bën fjalë për krimet e luftës, dhe themelimin e një tribunali, pasi sipas tij, drejtësia ndërkombëtare ka dështuar t’i gjykojë të gjitha krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.


    Veseli ka takuar sot Shoqatat e të Pagjeturve, siç ka thënë ai, në kuadër të sensibilizimit për themelimin e Tribunalit për Dënimin e Krimeve të Serbisë në Kosovë.

    “Në kuadër të takimeve senzibilizuese për Themelimin e Tribunalit për Dënimin e Krimeve të Serbisë në Kosovë takova Shoqatat e të Pagjeturve, të cilat janë më të prekurat nga gjenocidi serb i kryer në Kosovë dhe njëkohësisht më aktivet e më të angazhuarat për kërkimin dhe vulosjen e drejtësisë”.

    “Ne si institucione të Republikës së Kosovës, kemi për obligim të mbrojmë jo vetëm lirinë, shtetin dhe jetën e qytetarëve tanë, por edhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.

    Tutje, Veseli ka thënë se kanë besuar që drejtësia ndërkombëtare do t’i dënojë këto krime, por edhe pas dy dekadave është bërë pak në këtë drejtim.

    “Krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë janë të përmasave të gjenocidit. Ne kemi besuar se drejtësia ndërkombëtare do ta thotë fjalën e saj në dënimin e këtyre krimeve. Fatkeqësisht kanë kaluar dy dekada dhe pak ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim”.

    “Tribunali i Hagës i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Milosheviqit. Ndërkaq, Serbia është munduar ta mbyllë këtë punë duke organizuar gjykime të rrejshme të oficerëve të saj që kanë marrë pjesë në masakrat e kryera në Kosovë. Kjo është e papranueshme. 186 masakra të kryera në Kosovë kërkojnë drejtësi. Heshtja ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët. Kjo nuk guxon të ndodhë. Dhe nuk kemi me u ndalë deri në arritjen e qëllimit tonë”, ka thënë në fund Veseli. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!