Vasfije Krasniqi: Sot jam më e fortë se serbët, e gjithë bota t’i marrë vesh krimet e tyre

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi sërish ka folur për përjetimet e saja gjatë luftës dhe heroizmin që po e tregon tash duke mos ua fshehur serbëve të bëmat dhe krimet.


Krasniqi duke folur për Zërin e Amerikës ka thënë se tash ndihet shumë më e fortë se sa serbët dikur para 20 viteve që kishin ushtruar dhunë seksuale mbi trupin e saj.

Tutje ajo kërkon që e gjitha bota të dëgjojë për krimet e kriminelëve serbë.

‘’Ndihem mirë. Ndihem grua e fortë, grua e guximshme, dhe nuk do t’ia fsheh më krimet Serbisë. Të dëgjohet në gjithë botën përmes meje, përmes të tjerave… Por sidoqoftë, kanë me u dëgju krimet se çka ka bë Serbia. Ata po e fshehin, por unë nuk do t’ia fshehi më. Krejt bota me ditë cka ka bë serbi, krimineli. Kështu që mesazhi im është që për sa para 20 viteve ai ka pasë forcë dhe qat fortë e ka përdorur mbi trupin tim, por sot unë jam më e fortë se ai’’ , ka thënë Vasfija.

Ajo para disa ditësh, bashkë me ish-presidenten Atifete Jahjaga kishin marrë pjesë në diskutimin e Kongresit Amerikan për viktimat e dhunës seksuale.

Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga thotë se angazhimi i vazhdueshëm amerikan është i domosdoshme në Kosovë dhe mbarë rajonin për të vendosur drejtësinë e vonuar, 20 vjet pas luftës.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për politikën e jashtme, Jahjaga u kërkoi ligjvënësve amerikanë krijimin e një gjykate speciale që do të merrej ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës të bëra nga ana e Serbisë ndaj Kosovës.