Në gjykimin e Endrit Nikës, i akuzuar se ka hedhur nga kati i 6-të i një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Endrit Nika akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K.U., e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
Me të filluar seanca e sotme (10.07.2025), gjyqtari Gazmend Bahtiri njoftoi se përmes një shkrese dëshmitarja E.L., ka kërkuar që gjatë dhënies së dëshmisë së saj seanca të jetë e mbyllur për publikun.
Pas marrjes së mendimit të palëve në procedurë, trupi gjykues mori aktvendim që seanca të mbyllet për publikun gjatë dhënës së dëshmisë të dëshmitares E.L..
Pas përfundimit të dëshmisë nga dëshmitarja E.L., seanca u hap për publikun dhe vazhdoi me dhënien e dëshmisë, dëshmitari Mirlind Zeqiri.
Dëshmitari Mirlind Zeqiri tha se është menaxher në hotelin “Sonoma”, aty ku kishte qëndruar i akuzuari me tani të ndjerën.
Dëshmitari Zeqiri tha se natën kritike në kohën kur kishte ndodhur rasti kishte qenë në gjumë, ndërsa për rastin ishte njoftuar nga recepsioni dhe kur kishte dalë jashtë, i akuzuari kishte qenë në veturën e policisë.
“Më kanë njoftu prej poshtë nga recepsioni… Deri kam zbritur unë, Endrit Nika veçse ka qenë në veturë me policinë, ambulanca e ka marrë trupin e të ndjerës” – tha dëshmitari.
Dëshmitari lidhur me natën kritike tha se nuk kishte pranuar ndonjë ankesë nga dikush në hotel që kishte pasur zhurmë dhe se as ai vet nuk kishte dëgjuar zhurmë.
Dëshmitari për të akuzuarin tha se nga pamjet e kamerave e kishte parë të akuzuarin të hutuar duke dalë nga dhoma e hotelit.
“Endriti doket shumë i hutuar nuk din çka me vepru, shihet tu bë lëvizje a me shku poshtë a lartë shihet ajo hutija se çka me vepru.” – tha dëshmitari Zeqiri.
Dëshmitari deklaroi se në hotelin ku ai punon ka kamera të sigurisë dhe se ai kishte pranuar një letër nga Prokuroria ku iu ishte kërkuar disa nga pamjet dhe se këto pamje të kërkuara ai ia u kishte dhënë dy hetuesve dhe se iu kishte thënë se nëse ndonjë nga pamjet mungon mund të i kërkojnë në afat prej 7 ditësh pasi që sipas tij pas 7 ditëve video-incizimet fshihen.
Dëshmitari tha se në dhomë janë dy dritare të cilat hapen, ndërsa ajo që kishte rënë poshtë është statike e cila nuk hapet.
“Dhoma i ka dy dritare që hapen, ndërsa ajo që ka ra poshtë është statike.” – tha dëshmitari Zeqiri.
Seancat e radhës për këtë çështje penale janë caktuar për në muajin shtator 2025.
Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.
Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri, kryetar i trupit gjykues dhe dy anëtarët, Medie Bytyqi dhe Alltëne Murseli.
Në seancën e datës 28.05.2025 kishte dëshmuar Magdalena Urdangaray nëna e së ndjerës.
Magdalena Urdangaray, nëna e Maria Clara Urdangaray dhe babi i saj kishin ardhur nga Argjentina në Kosovë në maj të vitit të kaluar për të folur me organet e drejtësisë.
Ata kërkonin drejtësi për vajzën e tyre.
Magdalena Urdangaray e rrëfente si ‘shok’ e tejet të dhimbshme momentin kur e kishin kuptuar se vajza e tyre kishte vdekur në Kosovë.
Ajo thotë se lajmin për vdekje ua dha një shoqe e Maria Clara e cila kishte parë artikuj për vdekjen e një gruaje argjentinase në Kosovë.
“Kur shoqja e vajzës sime më thirri e ma tregoi këtë, unë u shokova. Nuk mund ta pranoja atë që po ma thoshte ajo. Qe një situatë shumë e dhimbshme! Të pranosh lajmin se vajza jote kishte vdekur, është diçka që nuk ia dëshiron as armikut tuaj më të madh. Sepse, për aq sa di unë, gjatë fundjavës, vajza ime ishte në një ceremoni me familjen e partnerit të saj”- kishe thënë Magdalena Urdangaray për KALLXO.