Një rast i dhunimit u zbulua në Obiliq, pasi viktima e cila ka ngelur shtatzënë ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këta të fundit kanë njoftuar organet e rendit lidhur me rastin dhe tashmë Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, i tha Gazetës Online Reporteri.net se rasti i takon procedurës për të mitur.
“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një (1) personi, i dyshuar për veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së.
Meqë rasti i takon procedurës për të mitur, nuk mund të japim detaje, derisa ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore nga ana e Prokurorisë”, tha Ulaj për Gazetën Online Reporteri.net.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku kanë bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari.
“Është marr informata se në QKUK është pranuar viktima femër shtatëzënë, ku lidhur me rastin e lartcekur me vendim të prokurorit është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Zbulohet një rast i dhunimit në Obiliq, viktima shtatzënë kërkoi ndihmë në QKUK