Një grua është vrarë dje në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj. Në këtë rast ka mbetur i plagosur edhe vëllau i 21-vjeçares.
Një rast tragjik ka ndodhur dje pasdite në Ferizaj, ku një 21-vjeçare me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.
Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje në raportin 24 orësh lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi dje në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku një 21-vjeçare dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas Policisë, 36-vjeçari, “për motive ende të panjohura”, ka shtënë me armë zjarri ndaj ish-gruas së tij dhe vëllait të saj, ku e ka vrarë 21-vjeçaren dhe e ka plagosur vëllain e saj, i cili pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
“Rr. Vëllezërit Gërvalla, Ferizaj 12.04.2024-14:40. Është arrestuar i dyshuari mashkulli kosovar, pasi që i njëjti për motive ende të panjohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave (një mashkulli dhe një femër) dhe si pasojë e të shtënave viktima-femër ka mbetur pa shenja jete, ndërsa viktima-mashkull ka pësuar lëndime trupore, pas tretmanit mjekësor lirohet në shtëpi. Trupi pa jetë i viktimës dërgohet ne mjekësinë ligjore. Me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje.
Kurse dje Policia e Kosovës në Ferizaj ka konfirmuar vrasjen e gruas, dhe ka njoftuar edhe për plagosjen e një tjetër personi.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar nē Qendrën Emergjente në Ferizaj”, tha zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli, për Reporteri.net.
36-vjeçari ka ikur nga vendi i ngjarjes, por i njëjti është arrestuar nga Policia pas rreth gjysmë ore nga vrasja.
“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, ka njoftuar Policia.
Për motivin e vrasjes ka folur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari i cili ka deklaruar se gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.
Pas vrasjes së 21-vjeçares ka pësuar reagime të shumta.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka reaguar ndaj vrasjes së gruas nga ish-bashkëshorti i saj në zyrat e Qendrës për Punës Sociale, i cili është shprehur i tronditur.
“Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni. Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit. Sot, të gjithë të tronditur bashkëndjejmë me familjen e viktimës! Ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës dhe urojmë shërim të shpejt për të plagosurin!”, ka shkruar Aliu.
Për vrasjen e 21 vjeçares ka reaguar edhe presidendtja Vjosa Osmani e cila e ka quajtur femicid, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Edhe një burrë që vranë një grua. Sërish femicid! Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm.”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka kërkuar nga organet e drejtësisë dënime maksimale për vrasësit e grave.
“jaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë. Ngushëllime të sinqerta familjes!
Dënim maksimal për vrasësin!”, ka thënë Osmani.
Poashtu ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti i cili përmes një postimi në Facebook, i cili e ka dënuar ashpër këtë krim.
“E dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ndërsa në reagimin e saj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gratë ende s’janë të sigurta dhe se të gjitha institucionet duhet të punojnë për të adresuar fenomenin e femicidit.
“Edhe një jetë u shua sot! E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve. Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës. Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në reagimin e saj.
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në reagimin e bërë ka thënë se do të kujdeset që të ndërmarren të gjitha veprimet që u takojnë si Ministri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar.
“Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i uroj shërim të shpejtë!”,ka thënë Sveçla. /Reporteri.net/.