Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, njëherit kryetar i degës së kësaj partie në Rahovec, Edon Cana ka thënë që Kosova s’ka qenë si kurrë më parë në rrezik, se tani me kryeministrin Albin Kurti dhe raportet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Cana ka folur për postimin e Richard Grenell në “X”, e të cilin e shpërndau dje edhe djali i Presidentit Donald Trump, ku emisari amerikan kishte thënë se Kurti po gënjen se është i afërt me ShBA-në, gjë për të cilën kandidati për deputet nga radhët e PDK-së thotë se ky ishte një ekskomunikim zyrtar i ShBA-së me Kurtin.
Sipas tij, Kryeministri Kurti është ekskomunikuar si partner në çdo formë me ShBA-në, dhe se mesazhi i tyre, siç thotë Cana i PDK-së, është se Kurti është person i ekskomunikuar, i pabesë që s’do të shihet si partnerë, dhe njëjtë do të trajtohen edhe ata që bëjnë koalicion me të.
“Republika e Kosovës kurrë në asnjë moment nuk ka qenë në rrezik sikurse sot. Tweeti dje ishte një ekskomunikim zyrtar i ShBA-së për Albin Kurtin. Çka do të thotë kjo? Ekskomunikimi është bërë nga kisha në mesjetë si një akt formal për ta përjashtuar dikënd nga kisha, dhe për ta dënuar njëfarë forme. Pra, ky kryeministër është ekskomunikar si partner në çfarëdo forme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe poashtu mesazhi i tyre është se ky person i ekskomunikuar, i anatemuar si i pabesë nuk do të shihet si partnerë, dhe kushëdo që ka menduar që të bëjë koalicion me të, do të trajtohet njëjtë”, tha Cana në Klan Kosova.
Emisari për misione të posaçme në administratën Trump, Richard Grenell ditë më parë bëri një postim në “X”, në të cilin thoshte se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, po mashtron qytetarët se është i afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai kishte shkruar se SHBA-ja ka nevojë për partnerë të besueshëm, duke kritikuar Kurtin se ka ndarmarrë veprime të njëanshme që e kanë destablizuar rajonin.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, kishte shkruar Grenell në “X”.
/Reporteri.net/