×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025 / Fb

    Haradinaj-Policisë: Duhet të përfundoj kjo ëndërr e keqe, që e solli në kushte të vështira shpesh gjendjen tuaj – ndëshkoni me votë

    Reporteri
    07 Shkurt 2025 | 15:16

    Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese 137, i është drejtuar sot me një letër publike Policisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre në ruajtjen e sigurisë së vendit dhe duke premtuar përmirësim të kushteve të tyre të punës.

    “E ndjej në zemër dhe shpirt, atë që e përjetoni çdo ditë,” shkruan ish-kryeministri Haradinaj, duke theksuar sakrificën e përditshme të policëve për sigurinë e qytetarëve. Ai veçanërisht përmend sfidat e turneve të natës dhe kushtet e vështira të punës që përballojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Haradinaj ka vënë në dukje nevojën urgjente për ndryshim në trajtimin institucional të forcave policore.

    “Duhet të përfundoj kjo ëndërr e keqe, që e solli në kushte të vështira shpesh herë gjendjen tuaj, për kushtet më jetike që duhet t’i ketë një Polic/e,” thekson Haradinaj, duke sugjeruar se qeveria aktuale ka dështuar në përmirësimin e kushteve të punës së policisë.

    Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme, Haradinaj u bën thirrje policëve të përdorin instrumentin demokratik për të sjellë ndryshimin e nevojshëm.

    “Natyrisht edhe ju votoni. E di që e keni mendu gjatë ndryshimin i cili po ndodhë në Kosovë. Duhet ta ndëshkojmë vetëm me instrumentin e demokracisë, mendësinë e keqe të disa individëve.  Populli është gjithmonë me ju, sepse ju i shërbeni vetëm popullit,” përfundon ai, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për familjet e policëve që sakrifikojnë kohën me të dashurit e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!