Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është i bindur që më 9 shkurt, LDK do të marrë besimin e qytetarëve për të sjellë ndryshimin në Kosovë.
Në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, Hoti ka thënë se nga ajo që po sheh gjatë fushatës, propagandës mashtruese, që siç është shprehur ai, kulmoi në skenën politike para katër viteve, po i vjen fundi.
“Absolutisht, jam plotësisht i bindur. Çdo ditë të re jam më shumë i mbushur me besim për ndryshimin që do të vijë më 9 shkurt. Një propagandë, mbi baza mashtruese të skenës politike që ka kulmu para katër viteve, po duket qartë që po i vjen fundi”, tha Hoti.
Hoti teksa foli edhe për gjuhën e ashpër të përdorur në fushatë dhe sulmet ndaj LDK-së, është shprehur se kjo gjuhë është duke u injoruar nga qytetarët.
“…Ne e kemi tentu si LDK të qëndrojmë jashtë këtij debati që është i përçudnuar dhe nuk ka vend në skenën politike….Unë besoj që kjo gjuhë nuk shkon përpara më, nuk e merr besimin e qytetarëve. Për aq sa mund ta interpretoj se si po shkon fushata, kam përshtypjen se është duke u injoruar nga qytetarët një gjuhë e tillë”, ka thënë Hoti në intervistën për Reporteri.net. /Reporteri.net/