×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025

    Kandidati për deputet nga PDK: Deklarimet e Grenell të vërteta, Kurti i ka të numëruara ditët në zyrën e tij prandaj çirret e bërtet

    Reporteri
    03 Shkurt 2025 | 22:38

    Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, ka bërë një reagim lidhur me deklarimet e të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell,  i cili tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

    Hajdari ka thënë se deklarimet e Grenell janë të vërteta, teksa për Kurtin ka thënë se i ka të numëruara ditët në zyrën e tij, “prandaj çirret e bërtet”.

    “Kryeministri i përkohshëm Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane, e ide amerikane në të nëntëdhjetat ishte edhe çlirimi i Kosovës, pastaj edhe pavarësimi i saj.  Patrioti me bateri i ka të numëruara ditët në zyrën e tij të përkohshme, prandaj çirret e bërtet.  T’i thuash i papërvojë e i padijshëm është pothuajse shfajësim: jo vetëm kaq, Kurti është i dëmshëm, dhe i dëmshëm qëllimisht.  Kjo krijesë politike e frikësuar nga hija e vet, është i humbur, i tronditur e nën panik”, ka shkruar Hajdari.

    Hajdari ka thënë se kandidati për kryeministër i PDK’së, Bedri Hamza, ka në mendje vizion amerikan për Kosovën

    “Patriotët e Kosovës, në të gjitha etapat historike, hapat i kanë bërë me e pranë vlerave të SHBA-së. Ai që pretendon që në Kosovë ka patriotizëm antiamerikan, është i mashtruar, ose mashtrues. Kryeministri i përkohshëm është kjo e dyta. Mashtrues, manipulant i paskrupullt.  Krejt e kundërta e tij, përbashkues, pa fije urrejtjeje ndërshqiptare e me vizionin amerikan për Kosovën në mendje, është ekonomisti i shkëlqyer Bedri Hamza.  Nuk mund t’i kthehemi trazirave për t’ia kompensuar frikën e Kurtit për pushkë kur ishte koha e pushkës.”, ka shkruar tutje ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!