Kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj, ka bërë një reagim pas rezultateve të exit-polleve për zgjedhjet e sotme, që e renditën VV’në të parën, PDK’në të dytën e LDK’në të tretën.
Molliqaj ka theënë se kjo është fitore për Kosovën, teksa ka shtuar se opozita nuk duhet me asnjë kusht të bëjë koalicion me Vetëvendosjen, shkruan Reporteri.net.
“Kjo është një fitore për Kosovën! Opozita nuk duhet, me asnjë kusht, të bëjë koalicion me VETËVENDOSJE. 40% nuk është megjithatë dështim, është një paralajmërim se propaganda ende mban peshë përballë zbrazëtisë ideologjike. Ne e kundërshtojmë VV-në sepse ajo e sheh shtetin si pronë dhe qytetarin si mjet. Demokracia nuk rrezikohet vetëm nga ata që sundojnë, por edhe nga ata që nuk kanë asgjë për t’i kundërvënë. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas Exit-pollit të Kompanisë UBO Consulting, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.3 %, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.4 %, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 19.3 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.2 %.
Exit-polli i Baton Haxhiut, i prezantuar në T7, e ka renditur Vetëvendosjen si partinë fituese me 37 përqind, PDK me 23 përqind, LDK me 20 përqind e AAK/NISMA 8 përqind.
Ndërkohë, sipas EXIT POLL-it të Klan Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë me 38.2%, PDK e dyta me 22.4%, LDK e treta me 20.1%, AAK e katërta me 7.6%./Reporteri.net