Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri tani kanë aplikuar për certifikim 47 parti, gashtë iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, shkruan Reporteri.net.
Afati për aplikim është ende i hapur.
“…anëtarët u njoftuan edhe për periudhën e aplikimit online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të yre, e cila ka filluar më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025. Deri më tani, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) u ka krijuar qasje në platformën për certifikim 47 subjekteve politike të regjistruara, 6 iniciativave qytetare dhe 1 kandidati të pavarur”, thuhet në njoftimin e KQZ’së, pas mbledhjes.
Në këtë mbledhje, janë aprovuar edhe 566 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit, ndërsa 66 janë refuzuar.
“Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 9 korrik 2025, janë pranuar 633 kërkesa, prej të cilave 566 janë aprovuar, ndërkaq 66 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues”, thuhet në njoftim.