×
Opinione

KUJTIME NGA LUFTA (2): Jeta në shtetrrethim-1999, Prishtina mbushet me refugjatë të luftës…

Reporteri
20 Maj 2020 | 22:59

Autor: Besim Kajtazi 


Dëbimet e popullatës nuk ndalen. Veprimtari Sami Peja varroset në oborrin e shtëpisë së tij…


Qëndrimi në kryeqytet nga dita në ditë, u vështirësua tejmase. Në shtëpinë tonë, në Lagjen “Aktashi”, për 45 ditë i strehuam familjen Ahmeti të Likoshanit, të cilës më 28 shkurt 1998, i ishin vrarë 10 anëtarë nga forcat serbe. Ata erdhën në fillim dhe u vendosën në Matiçan, mirëpo, pak para se të fillonin bombardimet, policia ndërmori një sulm në këtë lagje, ku pati edhe disa të vrarë, ndërsa popullata e Matiçanit u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Babai, Halil Kajtazi, që ishte edhe nip i familjes Ahmeti të Likoshanit, e thërrasin në telefon për ti marrë. Ne e kishim vetëm një veturë, ndërsa ata ishin rreth 32 anëtarë. Babai ju thotë të nisen me kolonë e ky do ti priste te parku i qytetit. Kur doli aty, me ta ishte edhe një fëmijë i humbur dhe i solli në shtëpi. E lajmëruam familjen për djalin e humbur dhe të nesërmen erdhën dhe e morën.

Shtëpia u mbush me refugjatë, ku katër muaj më parë e kishim strehuar edhe familjen e Gëzim Shalës nga Ujëmiri, tezen e tij ma djalë dhe ku tashmë ishim bërë mbi 63 anëtarë…

Me anëtarët e familjes Ahmeti ishte edhe Ramiz Dervishi me grua, vëllai i gruas të Elmi Ahmetit dhe Brahim Heta me djalin Ardianin, vëllai i nuses së Gani Ahmetit, i cili ishte vrarë vetë i dhjeti në masakrën e Likoshanit , më 1998…

Gëzimin e kishim strehuar katër muaj më herët. Ai kishte ikur nga ofanziva serbe në pjesën e Klinës dhe posa arritën në Prishtinë, lagja u organizua, për strehimin e refugjatëve. Na thirri fqinji Besim Mehmeti- “sorra”, siç e quanim, na tregoi për ardhjen e refugjatëve dhe menjëherë dolëm me vëllanë Veliun, i morëm dhe i strehuam në shtëpinë tonë, në një aneks të shtëpisë që ende ishte i pabërë meremet. Ishin të rraskapitur nga ikjet e vazhdueshme dhe qëndrimit në tunelin e trenit. Ai së bashku me nënën Elfijen , motrën kishte edhe gruan, djalin dhe dy vajza të vogla, njëra e paralizuar … me ta erdhi edhe tezja e tij Mihrija me djalin Sinanin…

***

Dritaret, natën duhej mbuluar me çarçafë, kështu ishte dhënë urdhri, në mënyrë që mos të vërehej drita gjatë bombardimeve…

Më 14 prill, në lajme, morëm vesh se kishte ndërruar jetë veprimtari Sami Peja, me shtëpinë e të cilit na ndante rruga kryesore “Dubrovniku”. Në pamundësi ta varrosin në varrezat e Prishtinës, familja e varrosi në oborrin e shtëpisë…

U bë një kohë dhe ishte shkëputur komunikimi me shokun tim Gezimin, i cili banonte në shtëpinë e dhëndrit të tij Flamurit, në “Kodër të Diellit”, i cili prej kohësh jetonte në Zvicër, si refugjat politik.

Pa e ditur se ai kishte dalë në Maqedoni, e mora vajzën 5 vjeçe Tringën dhe u nisa për te shtëpia e tij… Rrugës deri tek Xhambazët, nuk hasa në polici. Ktheva nëpër disa rrugë dytësore, kah shtëpitë e ish-drejtorit të Arsimit të Prishtinës, Zijadin Gashit, trupova dhe dola në rrugën kryesore… Nëse më ndalin policia, thash më vete, do të them se po shkoj të vëllau Xhaviti! Dhe ende pa e hedhur hapin e parë për ta kaluar rrugën, para këmbëve të mia u ndalë një xhip me ngjyrë të gjelbër kamuflazhi. Brenda ishin dy serb të armatosur me syze të qethur tullac dhe nga dritarja më pyeti njëri në gjuhën serbe : “Gde ćesh?” ( Ku po shkon?).

“Te vëllai”, ia ktheva në gjuhën serbe!

– “Marš kući pička ti materina, da te ne ubijem ovde”, më bërtiti, ndërsa Tringa e vogël, pa ditur se ç’po ndodhte, më pyeti: babi çka po thotë!… Asgjë i thash me zë të vogël, ndërsa e miratova kërcënimin e policëve apo paramilitarëve me veshje kamuflazhi me fjalët : “Razumem!” ( Në rregull!), dhe u ktheva mbrapshtë.

Fati më priu këtë herë, ngase, si duket, po mos ta kisha vajzën e vogël me vete, do ta kisha pësuar keq. U ktheva në shtëpi dhe vendosa që më mos të dalë në shëtitje të tilla larg shtëpisë…

Ushqimi po harxhohej dhe frikësoheshim se do të mbesnim pa bukë, mirëpo, familjet që i kishim strehuar vendosën që ta lëshonin Kosovën dhe fati deshi që këto dy familje, të dalin në Maqedoni, me autobusë, pak para datës 19 maj , dhe në shtëpi mbetëm familja jonë e ngushtë; unë, me bashkëshorten Valbonën dhe tre fëmijët, Benin, Drinin dhe Tringën, Xhaviti me gruan Kimeten dhe fëmijët Adelinën, Adriatikiun dhe Jonin, Veliu me bashëshorten Elhemen dhe Altinin e vogël, motrat Lumnija, Pranvera, Proza, nëna dhe babai…

Në foto: Drini dhe Beni, 1998

Tek Gëzimi kishte miell, që ia kishin dhënë si ndihmë gjatë strehimit dhe kjo na vazhdoi qëndrimin dhe u siguruam se edhe për pak kohë s’do të mbeteshim pa bukë…

Miku im Sadik Çelaj nga Amerika na pati sugjeruar që mos të rrinim të gjithë në një vend, në mënyrë që bile dikush të shpëtonte në rast ndonjë sulmi në familje…

Bastisjet u bënë të përditshme dhe për shkaqe të sigurisë, Xhavitin e kthyem me familje në banesën që e kishte në lagjen “Kodra e Diellit”, kurse në lagjen “Ulpiana”, në banesën e Sadikut, babait të shoqes, qëndronin vëllai i tij Zenuni së bashku me baxhanakun tim Fadilin dhe motrën gruas Valdeten me fëmijët, Gentritin dhe Fjollën, ndërkohë që djali i Zenunit, Liraku i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe po luftonte në Zonën Operative të Llapit…

Duke dëgjuar lajmet, një ditë erdhi Valdetja me djalin e vogël Gentritin, i cili kishte mësuar siglën e emisionit të lajmeve të Radio Dojçe Velle. Unë, posa fillonte emisioni në gjuhën kroate, thosha d.welle, Gentriti ma kthente toçka, toçka Velle dhe kjo na bënte të qeshnim…

Takime të përditshme kishim me fqinjin e parë, Zekiria Cana, i cili tashmë nuk mund të lëvizte nga shtëpia ku qëndronte me gruan Resmijen dhe herë pas herë na vizitonte, por edhe tek ai tashmë shihej një drojë për të ardhmen që na priste…

Ditën dilnim me Veliun dhe shkonim për çaj tek shoku Agim Visoka, matanë rrugës, e herë -herë edhe te Veneti dhe Venani në bodrumin e shtëpisë së tyre, mirëpo gjithnjë me rrezik se do të pësonim… edhe këta kishin strehuar disa të afërm të gruas së Venanit, Pranverës…

Rrethi sa vinte e po ngushtohej… Në shtëpi me familje qëndronte edhe djali axhës Hajzeri me gruan Lutfijen dhe fëmijët e vegjël Milotin dhe Labinotin…

Axha Fazli me familje më herët kishin dalë në Maqedoni, kurse axha Rushit, me një pjesë të familjes ishin në luftë në Zonën Operative të Drenicës…

Të mbyllur në shtëpi, nuk kishim nga t’ia mbanim për shkak të gjendjes së shtetrrethimit të egër, vazhduam jetën duke pritur dorëzimin e Serbisë…

Dojçe Velle, BBC, Zëri i Amerikës, ishin ushqimi i përditshëm yni, duke pritur lajmin e dorëzimit, por edhe zëri i Radios “Kosova e Lirë”, e cila në emisionin e lajmeve , që ishte tejet i shkurtër raportonte për gjendjen nga zonat e luftës. Bombardimet vazhdonin çdo ditë. Tashmë, ato kryheshin edhe në pikë të ditës, kurse Prishtina po zbrazej si tërë Kosova…

Lajmet për vrasjet e përditshme që kryenin forcat serbe, jetën na e bënin edhe më të vështirë… Daljet ishin të kufizuara. Vetëm babai dhe gruaja ime gati çdo ditë dilnin për të blerë gjërat elementare ushqimore, gjithnjë të rrezikuar se mund të vriteshin apo të burgoseshin…

Prej kohësh valuta kryesore që e përdornim ishte marka gjermane dhe dollari amerikan… Këmbimin e valutave e bënte babai, në një dyqan të “Tre Sheshirat”, ku një kasap serb kryente rolin e këmbimores, ngase tregtarët serbë që punonin në ndërmarrjet “Voçari” e “Gërmia”, kërkonin vetëm dinarin serb si valutë!…

Furnizimin e bënin më së largu deri në orën 13 e 30, e në shumë raste, po ta hetonin se je shqiptar, dhe nëse lëshohej alarmi për sulme ajrore, gjësendet shitësja t’i gjuante në tokë, duke fyer me sa zë që kishte:”Merrni, se ju e keni kërkuar NATO-n!”…

Pati edhe raste kur disa qytetarë dilnin në rrugën kryesore të qytetit, dhe pinin kafe. Mirëpo, disa prej tyre edhe janë rrahur, siç ishte Feriz Orana, i cili banonte afër Xhamabazëve.

Ikja e banorëve nga zonat e luftës, e mbushën sërish Prishtinën me refugjatë nga Llapi, të cilët, kush e si mundi, u vendosën nëpër shtëpitë e ndonjë familjari, apo edhe shtëpi të boshatisura.

Një familje u vendos te familja Sogojeva, kurse një tjetër, Qamili nga Drenasi u vendos tek fqinji im Agroni, i cili më herët e kishte lëshuar Kosovën…

(vijon..)

*Ndalohet kopjimi apo publikimi pa lejen e autorit

KUJTIME NGA LUFTA (1) – Jeta në shtetrrethim -1999…

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!