×
Opinione

Fajtori i rritjes së çmimeve, në pafajësinë e përbashkët pozitë-opozitë

Reporteri
26 Tetor 2021 | 15:03

Autor: Bekim Kabashi


Akuza e kundër-akuza pozitë-opozitë, për rritje të çmimeve në Kosovë, në një kohë kur kjo krizë po ndodh në nivel global.

Qeveria e Kosovës assesi nuk mund të shihet si fajtore për rritje të çmimeve. Të vetmin ndikim që mund ta ketë, është ndërmarrja e ndonjë mase të përkohshme mbrojtëse përmes subvencionimit në artikujt elementar të konsumit.

Ndërsa, në anën tjetër as Qeveria nuk mundet që këtë situatë të ia faturojë qeverive paraprake, pavarësisht se ato mund të jenë përgjegjëse për ngecjen e zhvillimit të vendit. Për më tepër kriza e çmimeve nuk ka kursyer vendet e zhvilluara, por pikërisht atje e ka burimin.

Kryeministri Kurti në reagimin e tij tha se bukën dhe vajin do ta kishim pa rritje të çmimeve sikur mos të dëmtoheshin tokat bujqësore e aty të mbillej më shumë grurë, dhe fabrika e vajit në Ferizaj të ishte funksionale.

Të dyja të pasakta. Kosova nuk operon si treg i izoluar. Edhe po të prodhohej sasi më e madhe e grurit dhe vajit në Kosovë, çmimi këtyre dy produkteve bazë do të ishte sërish i njëjtë. Shtetet me ekonomi të hapur sikurse Kosova, tregjet e tyre të brendshme i kanë të ndërlidhura ngushtë me tregjet rajonale, dhe më gjerë. Nëse çmimet e bukës dhe vajit janë rritur në tregjet rajonale, kompanitë prodhuese të këtyre dy produkteve në Kosovë, automatikisht do të pretendonin aty ku ka çmim më të mirë për ta, pa u kufizuar të tregtonin vetëm brenda vendit.

Në ekonominë e lirë të tregut, nuk mund të pretendosh në përcaktim të çmimeve, siç është vepruar në të kaluarën në shtetet komuniste, kur ishte shteti që i përcaktonte ato. Sot ato përcaktohen nga oferta dhe kërkesa, dhe assesi brenda një tregu të ngushtë vendor, por në raporte shumë fluide rajonale dhe ndërkombëtare.

Për një gjë janë fajtorë të gjithë së bashku, pozitë e opozitë. Lufta e brendshme politike për interesa të ngushta partiake e personale ka bërë që Kosova sot mos të ketë kapacitete të reja të shfrytëzimit të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.

Sikur Kosova të kishte ndërtuar në të kaluarën një termocentral të ri prej 2000 MW, ashtu siç ishte provuar disa herë për më shumë se një dekadë, sot do të mund të prekej më pak te rritja e çmimeve, e do të përfitonte shumë në rritje ekonomike nga shitja e energjisë elektrike në tregun rajonal e ndërkombëtar, kur çmimi i saj është rritur disa fish.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!