×
Opinione

“Vrasja” e trashëgimisë politike të Kadri Veselit nga PDK-ja

Reporteri
20 Maj 2022 | 11:30

Autor: Afrim Kasolli


Askush nuk i ka shpërfillur më shumë politikisht krerët e UÇK-së, që sot ndodhen në Hagë, se sa partia që nominalisht pretendon se i përfaqëson. Merrni shembullin e ish-kryetarit Kadri Veseli. Të gjitha kauzat e tij politike, një nga një u margjinalizuan. U heshtën. Me largimin e tij nga skena politike, për arsye që dihen nga të gjithë ne, ato filloi t’i mbulojë pluhuri i harresës. Ai sot nuk përfaqëson asgjë politikisht për partinë që dikur e drejtoi. Nuk përbëjnë respekt vizitat private të kohë pas kohshme në qendrën e paraburgimit në Hagë, deri sa në anën tjetër me një lehtësi të padurueshme e braktis misionin e tij politik dhe publik. Përkundrazi, kjo sjellje duale, është një lojë cinike, asgjë më shumë.

Pjesë e këtij distancimi nga trashëgimia politike e ish-kryetarit Veseli, mund të merret edhe vendimi i fundit i strukturave drejtuese të partisë së tij, për t’u konvertuar brenda natës në liberal, nga përpjekja që ai e la trashëgim për ta ndërtuar identitetin konservator të partisë.

Ne nuk i dimë motivet që i kanë nxitur drejtuesit e ri të partisë për ta iniciuar këtë kthesë ideologjike dhe politike. Sepse, nuk kemi pasur rastin t’i dëgjojmë publikisht arsyetimet e tyre, se pse projekti konservator është jo adekuat për rrethanat e reja politike dhe shoqërore. Dhe se ky ndryshim është bërë domosdoshmëri e kohës. Madje të njëjtit që po i prijnë kësaj “kryqëzate” dikur shfaqeshin rrugëve te Londrës për ta afruar PDK-në me partitë konservatore. Kurse, gjatë këtyre bredhjeve nuk harronin të orkestronin lajme mbi stilin e tyre të veshjes dhe plot shije. E që nuk i dallonte ata, as nga vendasit e këtij metropoli. Megjithatë, i tërë ai investim u shemb si kullë prej letre, kuptohet pos fotos që e spikat pasionin tyre për modën. Mirëpo, pse u braktis ky mision ka mbetur një “mister”.

Sidoqoftë, nuk ka paragjykim më të madh se sa besimi se konservatorizmi s’është i përshtatshëm për parametrat e demokracisë. Apo nevojën për ta zhvilluar atë. Liberalizmi dhe konservatorizmi, siç ka pohuar kohë më parë prestigjiozja britanase The Economist, në shkrimin “The Global Crisis of Conservatism” janë pjellë e të njëjtës lëvizje politike, kulturore dhe mendore të botës perëndimore; asaj të iluminizmit.

Ato u lindin si reagime ndaj flakës gllabëruese që shkaktoi zjarri i Revolucionit Francez. Terrorit të tij të përgjakshëm. Dhe frymës që “merr sens vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive”, siç thoshte Hegeli në kapitullin “Liria Absolute dhe Terrori” në veprën e tij “Fenomenologjia e Frymës”.

Pra kontrollimi i impulseve të reja politike që i çlirojë flaka e kësaj ngjarje u shtrua si nevojë historike dhe teorike. Si duhej menaxhuar ndryshimet që u bënë të pashmangshme. Dhe njëkohësisht të ruhej rendi social dhe politik

Në këtë kontekst, filluan të hovëzojnë edhe përgjigjet që i ofruan liberalizmi dhe konservatorizmi. Për të parën rendi social lind vetvetiu nga veprimet spontane të qenieve njerëzore, Kurse për të dytën rendi social dhe politik duhet të shërbejë si parakusht për ndërtimin e lirisë. Sepse, kur shkatërrohet i pari rrënohen edhe hapësirat për manifestimin e së dytës. Pra në këtë mënyrë synohej që te gjendej një solucion adekuat për problemin më të madh të politikës, siç pohon Hannah Arendt, ekuilibrimin e apetitit që për fillim të ri dhe ruajtjen traditës. Kjo është arsyeja që sipas kësaj teoriciene, aksioni dhe kujtesa janë dy nga kapacitetet inherente politikës.

Rrjedhimisht, sipas konservatorizmit autoriteti i familjes, religjionit, asociacioneve lokale, për t’i kanalizuar ndryshimet shoqërore u pa si vendimtar. Prandaj, me të drejtë njëri nga etërit kryesor të kësaj doktrine Edmund Burke pat pohuar se një “politikë pa instrumentet e ndryshimit, po ashtu është privuar edhe pa mjetet konservimit”.

Kurse sipas studiuesit të njohur të shkencave politike Daiel Ziblatt në librin e tij “Conservative Parties and the Birth of Democracy”, lindja e këtij sistemi as që mund të paramendohet pa rolin historik të këtyre partive. Madje, në mënyrë skrupuloze, ku hulumtues i përpiktë, ka argumentuar se si ndërmjet Dy Luftërave Botërore, pikërisht në ato vende, sikur Britania, ku këto parti kishin traditë të gjatë të funksionimit, demokracia ia arriti që ta mbijetoi atë krizë. Kurse, në vende që mungonin tradita të tilla të organizimit politik, vendin vakant të partive konservatore ia doli që ta uzurpoi fashizmi, si variant ekstrem i të djathtës. Argumente mbështetëse në favor të kësaj pandehme mund të gjenden edhe në librin e Francis Fukuyam-ës “Rendi Politik dhe Shthurja Politike”. Mirëpo, elaborimi më i gjerë i raporteve dhe rrugëtimit historik të identitet ideologjik të partive politike kërkon një hapësirë tjetër.

Rrjedhimisht, anashkalimi i kësaj teme dhe argumenteve shoqëruese të saj, që e pat filluar ish-kryetari Veseli, nuk paraqet asgjë tjetër, pos një shpërfillje të besimit, bindjeve, vizionit dhe botëkuptimit të tij politik për rolin që duhet ta ketë PDK-ja në të ardhmen në spektrin politik të Kosovës. E synimeve të tij për ta ndërtuar një narracion autentik për këtë subjekt politik. Por, mjerisht ky investim ra në ujë brenda natës. Ashtu siç u varros në arkivat e pluhurosur të Kuvendit edhe insiativa e tij për themelimin e një komisioni parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit, si njëri nga proceset me të kontestuara dhe errëta në Kosovën e pas luftës.

Që prej përfundimit të luftës, ka ekzistuar një përpjekje e segmenteve të caktuara vendore dhe ndërkombëtare, për t’i paraqitur njerëzit që kanë dalë nga kjo trashëgimi, si jo të denjë për politikë. Ku edhe nëse ata e kanë bërë luftën, tash politika u takon atyre që kanë aftësi dhe mjeshtëri teknokratike për ta drejtuar atë. Shumë kush mund ta kundërshtoj këtë opinion. Se përkundrazi, Kosova pjesën më të madhe është qeverisur nga kjo strukturë. Po kjo është e vërtetë. Sepse është dashur kohë bukur e gjatë që të ketë efekt ky inxhinering mental propagandistik. Nuk është e rastësishme që njerëz të përgatitur profesionalisht të lidhur me këtë rezistencë, sot nuk kanë ndonjë peshë politike.

Ndërkaq, duke i suspenduar temat kryesore politike që i la trashëgim ish-kryetari Veseli, pa ndonjë arsyetim publik, disa drejtues të partisë së tij, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme e vulosën këtë prirje të sipër cekur. Ngase sipas kësaj qasjeje nuk ka vend më për bindjet e tij politike në hapësirën tonë publike

A do të ketë rezistencë të brendshme partiake ndaj kësaj tendence mbetet të shihet.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!