×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Cakaj kthehet nga Italia, a do te qëndrojë 14 ditë në karantinë?

    Reporteri
    29 Mars 2020 | 23:17

    Gent Cakaj u shfaq të premten i shkujdesur e sypatrembur ndaj virusit që ka gjunjëzuar botën.


    Mëkëmbësi i Ramës në Ministrinë e Jashtme udhëtoi drejt Italisë, së bashku me 30 mjekë e infermierë që do të ndihmojnë fqinjët të përballen me Covid-19.

    Mjekët e maskuar deri në dhëmbë duket se i kanë dhënë trimëri shefit të diplomacisë shqiptare, i cili, siç shfaqet dhe në këtë foto, jo vetëm nuk ruan distancën, por as nuk përdor ndonjë mjet mbrojtës.

    Të njëjtën trimëri e shfaqi edhe në aeroportin e Romës, teksa prekte në zemër të pandemisë botërore.

    Ndryshe e priti ministri i Jashtëm, Di Maio i cili për asnjë moment nuk e hoqi maskën mbrojtëse nga fytyra.

    Cakaj qëndroi në Itali disa orë, dhe u kthye mbrëmjen e së shtunës, me të njëjtin avion të AirAlbania, bashkë me 112 shqiptarë që u riatdhesuan.

    Siç duket nga pamjet, shqiptarët e kthyer, ju nënshtruan kontrollit të temperaturës në aeroport dhe janë të detyruar të vetëkarantinohen për të paktën 14 ditët e ardhshme.

    Vetë Cakaj ka kaluar përmes sektorit VIP në aeroport, dhe nuk dihet nëse edhe ai është kontrolluar.

    Gjithësesi ligji është i njëjtë për të gjithë: 14 ditët e ardhshme Gent Cakaj duhet të vetëizolohet në shtëpi, në bindje të aktit normativ të qeverisë, i cili thotë:

    “Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë:

    b) Shtetasi, i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19”.
    Tashmë ministri i cili kurrë nuk u dekretua si i tillë, duhet të punojë nga shtëpia, ndërsa zyra e tij nuk shpjegoi pse ishte e domosdoshme që Cakaj të udhëtonte drejt Italisë, një kryeqendrën botërore të infeksionit COVID 19.

    Në të kundërt, ai duhet të gjobitet, si çdo qytetar tjetër, me 5 mijë euro gjobë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!