Operatorët turistik letër Ramës: Shumë biznese drejt falimentit, të hiqen kufizimet

Bizneset që operojnë në fushën e turizmit, sektori më kritik për momentin, i janë drejtuar me një letër zyrtare kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në të cilën kërkojnë mbështetjen financiare të qeverisë por edhe një liberalizim të mëtejshëm të masave shtrënguese.


Këto kërkesa lindin si nevojë për ti paraprirë sezonit turistik, teksa vendet fqinjë janë një hap para Shqipërisë.

“Ne nuk duam të tregojmë padurimin tonë, por duam të ecim në një hap me fqinjët tanë, të cilët janë më përpara në planet e tyre, Greqia i ka të hapura plazhet që nga data 4 maj, po kështu fqinji tjetër Mali i Zi ka vendosur hapjen e plazheve nga data 18 maj, këto vende dhe mjaft të tjera kanë liberalizuar lëvizjen e qytetarëve, duke mos i kufizuar ato me fasha orari”.

Së pari bizneset kërkojnë heqjen e fashës së orarit për lëvizjen e qytetarëve. Kjo fashë sipas tyre duhet të rakordohet me vendet kufitare që të mos kenë pengesa në lëvizjet për qëllime turistike. Nëse një kërkesë e tillë nuk merret në konsideratë në kohë, operatorët thonë se shumë biznese do të falimentojnë.

Aktualisht të gjithë operatorët turistikë, agjencitë e udhëtimit, transportuesit turistik, guidat turistike, ushtrojnë zero biznes dhe vetëm 70% e hoteleve janë të hapur, por edhe këto nuk janë efiçente për shkak të masave shtrënguese të lirisë së lëvizjes. Ne nuk duam të krijojmë panik, por aktualisht të gjitha subjektet, që ushtrojnë veprimtari turistike kanë një rënie nga 90-100% të të ardhurave mujore dhe në qoftë se nuk do të merren masa të shpejta, pritet që së shpejti rreth 70% e të punësuarve në këtë sektor do të humbasin përfundimisht vendet e punës dhe pandemia shëndetësore do të shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale.

Për këto arsye, bzineset e turizmit kërkojnë gjithashtu që qeveria të bashkëpunoje me vendet ku operojnë fluturimet charter me Shqipërinë, sic janë Polonia, Gjermania, Cekia, Ukrania etj, për të krijuar një korridor për avionët turistik, më mënyrë që industria të mos falimetojë tërësisht./