×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Policia i thyen dorën mësuesit gjatë arrestimit

    Reporteri
    14 Korrik 2021 | 8:49

    Dy punonjës të policisë së Beratit janë kallëzuar nga mësuesi i fshatit Lumas në Kuçovë, pasi pretendohet se gjatë momentin të shoqërimit dhe vendosjes së prangave, policët i kanë thyer dorën.


    Resul Sulanaku, me profesion mësues në fshatin Lumas, ka dhënë kallëzimin e tij përpara oficerit Grigor Prifti, duke i treguar se dy efektivë të policisë, të cilët ai nuk i ka njohur me emra, por me numrin personal të uniformës së tij, kanë dashur ta shoqërojnë në ambientet e policisë së Beratit.

    Gjatë shoqërimit, e kanë kapur me forcë dhe vendosur prangat, dhe si pasojë e forcës së vazhdueshme që kanë ushtruar rezulton se i kanë thyer kockën e dorës.

    “…unë aktualisht dorën e kam në allçi. Unë jam munduar të gjej dy numrat e atyre dy policëve, të cilët më kanë shtrënguar prangat duke me krisur kockën dhe ato janë me Nr. 1377 dhe Nr. 1707 por dua të theksoj se këta dy punonjës morën urdhër nga Dashamir Bendo, të cilin e dëgjova vetë që ju tha prangoseni…” – ka treguar në kallëzimin e tij mësuesi i fshatit Resul Sulanaku.

    Sipas këtij të fundit ngjarja ka ndodhur, pasi në fshatin e tij po kryhen punime për ndërtimin e një ujësjellësi, të cilin e bën Bashkia Kuçovë.

    Tenderin për ndërtimin e këtij ujësjellësi, e ka fituar shoqëria “Salillari” Shpk dhe ka nënkontraktuar një shoqëri tjetër që quhet “Fled” Shpk, që ka seli qendrore në qytetin e Kuçovës dhe ka president shtetasin Alfred Mara.

    ”Në datën 9 korrik 2021, punonjës të kësaj shoqërie kanë qenë duke shkatërruar shtratin e lumit dhe nuk po zbatonin projektin përkatës. Ne si banorë të fshatit, kemi shkuar dhe kemi kontaktuar me punonjësit e këtij subjekti, duke i thënë se nuk duhet të shkatërrojnë shtratin e lumit Sinec, dhe bimësinë e tij, por të zbatonin projektin. Nga ana e tyre u ndërprenë punimet dhe njoftuan policinë dhe mbas 30 minuta, ka ardhur policia dhe ka tentuar të arrestojë pa motiv djalin tim, i cili sa është operuar nga hernia diskale dhe nuk ishte pjesëtares në ngjarje. …në këto momente jam paraqitur unë dhe kam kërkuar informacion se pse duan të shoqërojnë djalin tim…” – tregon në kallëzim i dëmtuari.

    ”Me urdhër të Dashamir Bendos,” – vijon rrëfimin mësuesi i fshatit, – ”dy punonjës policie që emrat nuk jua di, kanë tentuar të më shoqërojnë duke me vendosur prangat dhe me kanë shtrënguar dorën aq fort, sa që me është krisur kocka e krahut.”

    Për shkak të dhimbjeve të forta, policia i ka hequr prangat dhe e ka lënë të lirë, duke u larguar nga vendngjarja.

    “…në këto momente djali im njofton ambulancën sepse unë kisha shumë dhimbje në dorë, por ajo nuk erdhi dhe unë isha i detyruar të shkoja në spital në mënyrë private. Aty kam bërë një grafi, ku rezulton se më është krisur kocka e dorës nga shtrëngimi i fortë i prangave dhe tërheqja me forcë që më bënë ata dy punonjës policie…” – ka treguar i dëmtuari.

    Momentalisht për këtë rast të ushtrimit të dhunës nga policia, prokuroria e Beratit ka nisur hetimet ndërsa është kërkuar një ekzaminim mjeko-ligjor për thyerjen e dorës së Resul Sulanakut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!