×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama: Së shpejti, marrëveshje me një gjigant italian në fushën e kërkimit të naftës e të gazit

    Reporteri
    16 Tetor 2019 | 8:08

    Kryeministri Edi Rama njoftoi se shumë shpejt do të bëhet publik një bashkëpunim me një kompani të madhe italiane në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit.


    Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun italian Conte, Rama tha se potenciali për marrëdhënie ekonomike bashkëpunimi dhe për investimet italiane në Shqipëri është i jashtëzakonshëm.

    Rama shtoi se një harmonizim më i mirë i forcave mes dy vendeve dhe një punë e përbashkët më e fokusuar në disa drejtime, patjetër që do të na japë rezultate shumë më domethënëse.

    Rama tha se shumë shpejt do të udhëtojë drejt Romës me ftesë të homologut Conte, për të adresuar objektivat e përbashkët në interes reciprok.

    Pyetje: E nisët mandatin në vitin 2013 me synimin për të rritur investimet italiane, madje keni bërë edhe vizita e thirrje në Itali, por duket se nuk ka një rritje të konsiderueshme. Mendoni se administrata jonë publike është tepër burokratike për t’i përballuar në fakt investimet e huaja dhe a pritet të ketë ndryshime?

    Edi Rama: Së pari, mendoj se sigurisht potenciali për këto marrëdhënie ekonomike bashkëpunimi dhe për investimet italiane në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër, po të shikoni shifrat, krahasuar disa vite më parë, ato flasim për rritje të investimeve dhe për rritje eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri. Ndërkohë që në fushën e turizmit ka një sërë shprehjesh interesi, por janë projekte që kërkojnë kohën e tyre për t’u maturuar. Ju përmendët energjinë, mund t’ju them se jemi besimplotë se së shpejti do të mund të bëjmë publike një marrëveshje me një gjigant italian të energjisë në fushën e kërkimit të naftës e të gazit. Është një proces që kërkon kohën e vet, për të bërë të gjithë mbledhjen e të dhënave e pastaj për të kaluar të gjithë procedurat e nevojshme. Ashtu sikundër besoj, siç e tha edhe Kryeministri Conte, një harmonizim më i mirë i forcave dhe një punë e përbashkët, më e fokusuar në disa drejtime, patjetër që do të na japë rezultate shumë më domethënëse. Pikërisht për këtë, me shumë kënaqësi, unë e pranova ftesën e Kryeministrit për të vizituar së shpejti Romën, ku shpresoj do të jetë e mundur të kemi më shumë kohë për të shkuar në detaje në të gjitha aspektet e bashkëpunimit dhe për të adresuar objektivat e përbashkët në interes reciprok.

    Giuseppe Conte: Ju konfirmoj që është i mirëpritur në Itali sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të vijë së shpejti në Itali, të kryejë këtë vizitë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!