×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Visar Ymeri për dialogun: LDK dhe VV mendim pa veprim

    Reporteri
    24 Shtator 2019 | 21:59

    Visar Ymeri nga PSD-ja ka thënë se mënyra se si kjo parti ka bërë politikë si grup opozitar duhet të jetë shembull për partitë e tjera.


    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme të flitet për politkbërjen të cilën e ka bërë PSD-ja si grup opozitar parlamentar dhe bashkëpunimin e herëpashershëm dhe për çështje të caktuar me qeverinë e Kosovës që ka kulmuar me themelimin e Delegacionit Shtetëror për Dialogun. Këto paraqesin një perspektivë ndryshe në atë se si do të duhej të silleshim politikisht karshi çështjeve që kanë rëndësi jetike për vendin dhe që si procese bartin rrezik të madh për vendin”, tha Ymeri.

    Ymeri në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës, duke folur për dialogun me Serbinë, ka treguar se si e ka parë ai qasjen e partive të tjera politike karshi këtij procesi.

    “Karshi dialogut në këtë legjislaturë i kemi pasur dy lloj politikbërjesh. E para ka qenë mendim pa veprim dhe e dyta veprim pa mendim. Mendim pa veprim është pak a shumë mënyra se si janë sjellë Vetëvendosja dhe LDK-ja të cilët kanë folur, por nuk kanë ndërmarrë asgjë që në politikë është përsiatje shterpë. Në anën tjetër atë që paraqet PDK-ja si mënyrë e qeverisjes është veprim pa mendim”, tha Ymeri.

    “Bashkëpunimi ynë me kryeministrin Ramush Haradinaj në themelimin e Delegacionit Shtetëror dhe politikat të cilat i kemi mbështetur i ka bërë bashkë të dyja – jo vetëm të flasim se çfarë duhet të bëhet në Kosovë, por edhe të veprojmë sipas asaj që besojmë se duhet të bëhet në Kosovë. Koalicioni ynë është pikërisht në këtë vijë të mendimit politik. Çfarë ka qenë e rëndëishsme për neve në nënshkrimin e koalicionit? Ka qenë e rëndësishme që ta bëjmë një forcë domethënëse elektorale, nesër qeveritare, në mënyrë që këto procese t’i bëjmë realitet”, ka shtuar Ymeri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!