Partitë politike dje hapën zyrtarisht fushatën zgjedhore, ku në tubimet që mbajtën në Prishtinë, Mitrovicë e Therandë nuk ngurruan të bëjnë premtime të ndryshme.
Mbështetje të fermerëve, shtesa për fëmijë, luftë kundër korrupsionit, mundësi më shumë për të rinjtë, 60 mijë vende të reja pune “shpërthim” i izolimit të vendit, janë veç disa nga premtimet që bën subjektetet politike.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, njëherit kandidat i këtij subjekti për kryeministër, në ditën e parë të fushatës përveç premimit të tij tashmë të njohur luftë kundër korrupsionit, ka premtuar edhe t’ia kthejë rinisë shpresën.
“Ne mund t’ia kthejmë shpresën rinisë sonë, ashtu siç me aleatët ia sollëm shpresën popullit tonë, 20 vjet më parë. Si kryeministër i ardhshëm do t’i ndryshoj prioritetet e Qeverisë për t’iu ofruar më shumë mundësi të rinjve tanë, që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë në vendin tonë. Para së gjithash, Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Dhe, jemi vetëm ne që do ta bëjmë këtë. Jemi vetëm ne që duam ta bëjmë”, ka deklaruar Veseli, shkruan Reporteri.net.
Kandidatja e LDK-së për kryeministër, Vjosa Osmani, ka premtuar hapjen e dyerve siç thotë ajo të mbyllura të shptetit tone, pra heqjen e izolimit.
Ajo ka premtuar edhe dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë.
“Për LDK-në, siguria publike, rendi dhe ligji janë domosdoshmëri. Do t’ia hapim dyert e mbyllura shtetit tonë. Qeveria e udhëhequr nga LDK do ta shpërthejë izolimin që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë e keqbërës. S’ka nevojë për qeveri megalomane siç ishte e ashtuquajtura qeveri e vendimeve të mëdha. Ajo do të kujtohet vetëm si qeveri e skandaleve, grykësisë e gllabërimeve të mëdha. Do të ndërmarrim hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ajo në hapjen e fushatës.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në hapjen e fushatës në Mitrovicë ka premtuar zhvillim të ekonomisë, ngritje të cilësisë në arsim, mbrojtje të mjedisit e zhdukje të monopoleve.
“Dita e arsimit me dinjitet e me cilësi, erdhi dita e shëndetësisë së garantuar e pa pagesë, dita e barazisë mes burrave e grave, dita e mbrojtjes së punëtorëve e mbështetjes së fermerëve, dita e ringritjes së ekonomisë e stimulimit të biznese. Erdhi dita e ekonomisë pa privatizime, por me politika zhvilimore e inovative për mbrojtjen e mjedisit e zhdukjen e monopoleve dhe për t’u ndërtuar bashkë me ndihmën e mërgatës”, ka deklaruar Kurti.
Kurse koalicioni AAK PSD në hapjen e fushatës në Suharekë ka premtuar se me kryeministër Ramush Haradinaj do të vazhdojnë zhvillim ekonomik dhe krijim e perspektivës më të mirë për qytetarët tanë.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se do të jenë zë i gruas, nënave dhe motrave.
“Bashkë do ta realizojmë ligjin për lehoninë. Në krye me Nismën, koalicioni ynë do t’i fusë shtesat e fëmijëve për t’i rritur fëmijët me dinjitet. Ne do të jemi zëdhënës të punëtorëve, pensionistëve dhe të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dorën e shtetit”, tha Limaj.
Gjatë këtij tubimi, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli iu drejtua të pranishmëve me një mesazh pasi ishte jashtë vendit. Ai nder të tjerash tha se me qeverisjen NISMA-AKR-PD vendi do të ketë 8 % rritje ekonomike dhe 60 mijë vende të reja pune.
“Pas 6 Tetorit ne do të sigurojmë qeveri të ndershme dhe me prosperitet. Buxheti i Kosovës do të jetë zhvillimor dhe jo vetëm për shpenzim. Synojmë të kemi rritje ekonomike prej 8% dhe mbi 60 mijë vende të reja pune në sektorin privat ”, premtoi Pacolli. /Reporteri.net/.