Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sonte e ka përkrahur kandidaten e kësaj partie për kryeministre Vjosa Osmanin në një tubim me qytetarët në Hajvali.
Ai e ka nisë fjalimin e tij me një ironi për kundërkandidatët e Vjosa Osmanit.
“Si duket Vjosë, na jo vetëm që dojmë me i rrëzu kundërshtarët tanë, por dojmë me i shemb edhe sallat prej njerëzve. Ju falënderoj për këtë pjesëmarrje të madhe të një dege shumë të rëndëishme që mbulon fshatrat e Prishtinës dhe Hajvalinë ku kemi një koncentrim të madh të aktivistëve, veprimtarëve, simpatizantëve dhe njerëzve që votojnë dhe parapëlqejnë LDK-në”.
“Unë besoj se ky entuziazëm i juaji do të shprehet edhe më fuqishëm më datën 6 tetor kur do ta votoni LDK-në dhe kandidaten tonë për kryeministre Vjosa Osmanin”.
Mustafa, që jo shumë shpesh po paraqitet në tubimet e kësaj fushate zgjedhore për shkak të gjendjes shëndetësore, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta votojnë LDK-në.
“Unë sot nuk jam para jush që të shpalosë program, sot jam këtu që t’ju ftoj, t’ju lus dhe t’ju thërrasë që të fitojmë sepse fitoren e kemi në dorë”.
“Fitorja jonë është sepse LDK-ja është më e mira, është parti që sublimon interesat e shumë gjeneratave, është parti e fortë dhe e para me të gjitha. E para kemi qenë me deputetë në Kuvendin e Kosovës, e para jemi me numrin e komunave që drejtojmë sot në Kosovë dhe e para jemi me opinionin publik për LDK-në dhe e para jemi me përkrahje të fuqishme që po i jepet kandidates tonë për kryeministre”.
“Jam i bindur që ne do t’i japim vlere të re qeverisjes në Kosovë me qeverisjen dhe qeverinë e re e cila do të dalë me votën tuaj më 6 tetor”.
I pari i LDK-së nuk i ka lënë pa përmendur kundërshtarët politikë edhe në fund të fjalimit të tij, njofton Klan Kosova.
“I ka rrok frika të gjithë, PDK-në dhe partitë e tjera dhe ne natyrisht se nuk po bëjmë garë me ta sepse nuk ia vlen sepse janë shumë më të vegjël dhe më të dobët se LDK-ja”.
“Garën po e zhvillojmë me qytetarët e Republikës së Kosovës sepse ata do të na japin votën neve dhe do t’i besojnë Vjosa Osmanit që ta drejtojë Qeverinë dhe një ekipi të shkëlqyeshëm të LDK-së”