Aleancë Kosova e Re, sot para qytetarëve të Prizrenit, ka shpalosur programin e saj politik në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.


Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, duke folur para qytetarëve të Prizrenit tha se ai e sheh ardhmërinë në Kosovë përmes punës.

“Kosova ka diçka të shenjt që të tjerët nuk e kanë, ka rininë, rini aktive, inteligjente, e shëndoshë e dinamike. Dhjetëvjeçari i ardhshëm është dhjetëvjeçari i rinisë së Kosovës, ju do të jeni bartës të proceseve politike në vend”, tha Pacolli për të rinjtë e Kosovës.

Reklamë

Ai po ashtu tha se të rinjtë shumë shpejtë do të udhëtojnë pa viza, dhe për këtë ai tha që ka marrë përkrahjen edh sot në takimin që kishte me ministrin e jashtëm të Finlandës.

Shpendi Shuki nga dega e AKR-së në Prizren, para prizrenasve e cilësoi presidentin e AKR-së, Behgjet Pacolli, si njeriu dhe shqiptarin më të suksesshëm në trevat tona, vizionar e humanist, njeri të fjalës, që do t’i prijë ndryshimit që i duhet Kosovës.

Kandidati për deputet nga dega e AKR-së në Prizren, Ymer Rogova, duke kërkuar besimin e qytetarëve të Prizrenit, tha se AKR-së do të jetë boshti i qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Në fund u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputet nga radhët e AKR-së, të pranishëm në këtë tubim elektoral, Behgjet Pacolli, Islam Pacolli, Mirlinda Sopi- Krasniqi, Shqipe Kupina, Refiqe Ternava, Vesel Makolli, Fatmir Matoshi, Myzejene Selmani, Ekrem Mustafa, Sevdije Lama, Avdullah Mehmeti, Alma Lamçja dhe Ymer Rogova.