Kryeministri në detyrë i Serbisë , Đuro Macut, ka marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, të mbajtur të enjten në Mal të Zi, por ai nuk shfaqet në fotografinë familjare të pjesëmarrësve, shkruan gazeta online Reporteri.net. 

Samiti u mbajt në Shën Stefan, pranë Budvës, dhe mblodhi liderë të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të vendeve partnere.

Në fotografinë familjare, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri malazez Milojko Spajiq qëndrojnë afër kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, shihen në pjesën anësore të fotografisë.

Reklamë

Megjithatë në asnjë nga fotot dhe videot e momentit kur u shkrep fotoja e liderëve pjesëmarrës, nuk shihet kryeministri serb, shkruan Reporteri.net.

Gjatë samitit, Macut mori pjesë në panelin “Një rajon në lëvizje: Ballkani Perëndimor formëson të ardhmen e përbashkët të Evropës”, ku deklaroi se anëtarësimi i plotë i Serbisë në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik i vendit të tij.

Duke iu referuar çështjeve politike të pazgjidhura në rajon, Macut tha se ato kanë kornizat e tyre të përcaktuara për zgjidhje dhe se mekanizmat përkatës duhet të plotësojnë njëri-tjetrin, por jo ta zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Kryeministri serb gjithashtu deklaroi se nuk dëshironte t’u përgjigjej akuzave që, sipas tij, i kishte bërë “një përfaqësues nga Prishtina” – duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, – para samitit. Ai tha se konferenca të tilla nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera që, sipas tij, nuk lidhen me objektivin e tyre.

Reklamë

Procesi i Berlinit është një platformë për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve evropianë, me synimin për të nxitur integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.