Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net” dhe analisti politik, Bekim Kabashi ka vlerësuar se nëse deputetët e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, Vendimin dhe Dekretin e Vjosa Osmanit për shpalljen e zgjedhjeve do të dëshmohet se ka pasur shkelje të Kushtetutës.


Ai këtë deklaratë e ka bërë në emisionin “Politiko” në Kanal 10.

Reklamë

Gazeta Online “Reporteri.net” ka publikuar sot një analizë lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ku u ngritën dyshime se ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shkelur procedurat kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit dhe të zgjedhjeve .

Zyra e U.D. së Presidentes së Kosovës ka shpallur fillimisht zgjedhjet e më pastaj ka nxjerrë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.

E një analizë e punuar nga juristë dhe ekspertë Kushtetues për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ nxjerrë fakte se ky lëshim i presidencës, sikurse edhe mos botimi i dekretit në Gazetën Zyrtare, janë shkelje të Kushtetutës dhe procedurave të saj.

Pas publikimit të artikullit dhe analizës, Zyra e U.D. të Presidentes së Kosovës ka reaguar duke e nxjerrë për herë të parë, pas gati një muaji, në publik, dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

Me publikimin e këtij dekreti, Zyra e u.d. të Presidentes ka konfirmuar raportimin se dekreti është nxjerrë pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve më 14 shkurt 2021.

Reklamë

Kjo është lehtë e vërejtshme, vendimi ka numër 02/2021, ndërsa dekreti 03/2021.