LDK do të triumfojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kështu ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në hapje të fushatës së kësaj partie në komunën e Podujevës.
Ai në hapje të fushatës zgjedhore e ka thumbuar edhe Vjosa Osmanin e cila e ka braktisur LDK-në dhe garon në Listën e Vetëvendosjes.
“Ata që kanë thyer qafën e kanë shkuar nga LDK nuk mund ta marrin trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, as flamurin, as himnin dhe as kulturën tonë demokratike. Ajo është e jona. Ne dallojmë me ata që kanë kulturë tjetër. Kultura e tyre ka qenë kulturë rrënuese”, tha Mustafa.
Ai e ka sulmuar edhe Vetëvendosjen dhe kryetarin e Podujevës nga kjo parti duke thënë se Shpejtim Bulliqi i ka lënë pa viza.
“E kanë refuzuar Planin e Ahtisaarit, pavarësinë dhe simbolet dhe nuk e meritojnë përkrahjen e qytetarëve që ta drejtojnë Kosovën. Ky që është në krye të komunës [Shpejtim Bulliqi] ju ka lënë pa viza. Të tillët nuk e meritojnë që të përkrahen”, tha Mustafa.
Po ashtu Mustafa është shprehur se LDK do të dalë fituese e këtyre zgjedhjeve kurse Vetëvendosje le të merret me sondazhe.
“Ia lëmë LVV-së sondazhet, ne i marrim votat sepse e kemi besimin e qytetarëve. Me pas qenë me sondazhe moti disa parti ishin bërë të mëdha dhe moti do të qeverisnin me Kosovën. Ne moti kemi qeverisur dhe kemi qeverisur në mënyrën më të mirë”, ka thënë Mustafa.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.