Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë nga Mitrovica kanë qëndruar pasdite në vendlindjen e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli në Broboniq.


Bashkëfshatarët e Veselit e kanë pritur Hoxhajn me tupanë e bluza me figurën e Thaçit e Veselit.

Nga Broboniqi Hoxhaj theksoi se janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, ata që i kanë prirë projekteve kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Reklamë

“Neve na e kanë mundësuar që të jemi të lirë dhe të pavarur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Dy njerëz i kanë prirë këtyre projekteve kombëtare, e këta janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.”, tha ai, shkruan Reporteri.net.

Në një postim në Faceboook, Hoxhaj ka thënë se fitorja e PDK-së që po përhapet gjithandej Kosovës ka filluar në Broboniq të Mitrovicës.

Që nga arrestimi i Kadri Veselit nga Gjykata Speciale, Enver Hoxhaj është ushtrues detyre i kryetarit të PDK dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit.