Sot Besian Mustafa, deputet i zgjedhur i LDK-së e ministër në detyrë i Bujqësisë, ka shpallur kandidaturën e tij për ta marrë drejtimin e partisë që doli e treta në zgjedhjet e 14 shkurtit. Mustafa është i katërti personalitet i LDK-së që ka shpallur synimin për t’u bërë kryetar e kësaj partie.
E kandidaturën e Mustafës e ka komentuar Drejtori i Gazetës Online ‘Reporteri.net’, Bekim Kabashi.
Ai e ka cilësuar kandidimin e Mustafës për kryetar të LDK-së si instrument i gardës së vjetër për ta mbajtur partinë në duart e tyre.
‘’A eshte ky Besiani qe para disa diteve tha se duhet hapur partia per te ju dhene shanse te rinjeve? Ndersa tash paska pranuar te behet instrumet i perpjekjes se fundit per ta mbajtur partine ne duar te grupeve qe nuk heqin dot dore, edhe nese partia mbetet aq minore, sa t’u sherbeje vetem atyre e askujt tjeter. Eshte perpjekje e fundit, sepse nese edhe kesaj here fitues del kjo mendesi, partia do ta preke fundin, dhe me s’do te kete per cka te pretendohet drejtimi i saj’’, ka shkruar Kabashi në profilin e tij në Facebook, përcjellë Reporteri.net.
Kujtojmë që LDK ka shpallur zgjedhjet për kryetar pasi Isa Mustafa dha dorëheqje si pasojë e humbjes më të thellë në histori të kësaj partie.
LDK që fitoi vetëm 12.6% të votave do ta mbaj Kuvendin Zgjedhor me 14 mars.