Avdullah Hoti, kryeministri në detyrë ka reaguar pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së. Ish-kandidati për kryeministër nga LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit ka thënë se kryetari i ri i partisë së tij do ta ketë mbështetjen e të gjithëve.
Hoti ka falënderuar edhe dy kundërkandidatët e Abdixhikut, të cilët humbën garën sot në zgjedhjet e brendshme për kryetar të LDK-së.
‘’Urime të gjithë anëtarëve të LDK-së për një Kuvend Zgjedhor demokratik. Urime Kryetarit Abdixhiku, shëndet e suksese. Do ta ketë mbështetjen e plotë të të gjithëve. Na presin sfida.
Falënderime z. Lutfi Haziri dhe z. Besian Mustafa për kontributin e tyre në këtë garë.
Kryetarin Isa Mustafa e falënderoj për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë 11 viteve në krye të LDK-së’’, ka shkruar në profilin e tij në Facebook Hoti, përcjellë Reporteri.net.
Abdixhiku është zgjedhur sot kryetar i LDK-së, duke marrë shumicat e votave të delegatëve të partisë në Kuvendin Zgjedhor. Kundërkandidatë të tij ishin Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa.