×
  • Lajme
  • Pa kategori

    PDK: Vaksinimi të bëhet 7 ditë të javës, në lagje, fshatra e qytete

    Reporteri
    30 Gusht 2021 | 18:56

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, e udhëhequr nga kryetari Memli Krasniqi, ka mbajtur të hënën mbledhjen e saj të rregullt, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit dhe tragjedinë nëpër të cilën po kalon Kosova si rezultat i përkeqësimit të gjendjes së pandemisë.


    Anëtarët e Kryesisë së PDK-së, diskutuan për shqetësimin që po shfaqin qytetarët e Kosovës të cilët po kërkojnë në vazhdimësi termine për vaksinim, të cilat nuk mund t’i marrin për shkak të mungesës së vaksinave.

    PDK thotë se kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese, për faktin se Kosova është në fund të listës së vendeve të Evropës, për sa i përket përqindjes së popullsisë së vaksinuar.

    Partia Demokratike e Kosovës, fton Qeverinë që të ndryshoj qasjen e menaxhimit të procesit të vaksinimit të qytetarëve në këtë periudhë tragjike.

    “Qeveria duhet të ketë plan konkret për furnizim të vazhdueshëm me vaksina, për rritjen e kapaciteteve të vaksinimit dhe të decentralizojë këtë shërbim, duke mundësuar vaksinim 7 ditë të javës për çdo qytetar, nëpër lagje, fshatra e qytete, e jo ta mbajë edhe më tej të centralizuar këtë proces jetik për qytetarët”, thotë kjo parti.

    Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për procesin e përgatitjeve rreth zgjedhje lokale.

    Anëtarët e Kryesisë u informuan se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 29 kandidatë të PDK-së për kryetarë të komunave dhe 875 kandidatë për 33 Kuvende Komunale, duke qenë edhe kësaj here partia me numrin më të madh të kandidaturave për udhëheqje të komunave.

    17 nga 29 kandidatët e PDK-së për kryetarë të Komunave garojnë për herë të parë, ndërsa 22 nga 29 kandidatët nuk kanë qenë asnjëherë në udhëheqje të komunave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!