×
  • Lajme
  • Pa kategori

    As pushteti as opozita, s’pranojnë kushtëzimit të liberalizimit të vizave me dialogun

    Reporteri
    18 Korrik 2019 | 18:43

    Autoritetet në Prishtinë nuk e fshehin drojën se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, mund të përfshihet si kusht i ri për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.


    Me një kusht të tillë, nuk do të pajtoheshin as partitë në pushtet dhe as ato në opozitë.
    Ministrja për Integrim Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një interviste për Radion Evropa e Lirë, tha se “kjo do të ishte më të vërtetë zhgënjyese që të shihen tendenca të tilla, pavarësisht faktit se duhet të pranojmë se kemi pasur kërkesa, qoftë për suspendimin e taksës, qoftë për vazhdimin e dialogut, njëra e ndërlidhur me tjetrën”.

    “Unë shpresoj që të mos ndërlidhet, sepse ne qysh në start e kemi paguar dyfishin e çmimit që vendet e rajonit e kanë paguar për këtë proces, pra ne kemi 95 kritere, kurse vendet e tjera i kanë pasur 40-45 kritere”, tha Hoxha.

    Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, shfaqi shpresën që kjo çështje të mos ketë tendenca të tilla.

    “Këtë e kemi bërë të qartë, edhe unë në shumë takime të mia, dhe kemi thënë se nuk duhet të paguajmë edhe një herë për liberalizimin e vizave duke na kërkuar diçka që nuk është fare e lidhur me liberalizmin e vizave”, theksoiajo.
    Përfaqësuesit e opozitës, por edhe analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që çështja e liberalizmit të vizave të mos lidhet me procesin e dialogut politik Kosovë- Serbi.
    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli Dalipi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se dialogu politik me Serbinë dhe procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk kanë lidhshmëri dhe se institucionet e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të lejojnë që kjo çështje të bëhet kërkesë.
    “Ministria dhe Qeveria jonë duhet të insistojnë që kjo të mos futet në dialog. Përveç kësaj, duhet edhe të punojnë që ta luftojnë korrupsion dhe t’i bindin shtete anëtare që janë duke punuar në këtë drejtim, sepse ne kemi një raport të Komisionit Evropian që thotë; ‘po janë përmbushur kushtet’”, tha Pacolli-Dalipi.

    Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, ndonëse ende nuk është finalizuar.

    Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

    Kryeministri Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kanë paralajmëruar mundësinë që në BE, pavarësisht zhvillimeve të brendshme të marrë vendime pozitive për Kosovën.

    Për dallim nga ta, komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, pati paralajmëruar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, me gjasë, ‘mund të vijë në shprehje, diku gjatë vitit 2020’.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!