×
  • Lajme
  • Lajme

    Veriu “i dorëhequr” – protestë, flamuj serbë e fotografi të Putinit nën fjalimet që kthejnë paralelizmin në këtë pjesë të Kosovës

    Reporteri
    06 Nëntor 2022 | 15:24

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Një paralajmërim i Listës Serbe dje për banorët e veriut, bëri që qytetarë serbë të mblidhen në një protestë në orën 12:00 në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut. Të pranishëm ishin përfaqësues politik dhe ata të institucioneve tjera serbe në Kosovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Derisa serbët ishin drejtuar për në shesh, në anën tjetër shqiptarët në “Lagjen e Boshnjakëve” u mobilizuan dhe vendosën flamurin e Kosovës dhe atë kombëtarë nëpër rrugë.

    Policia e Kosovës përmes një komunikate për media njoftoi se kanë bërë planifikimet e tyre operacionale për protestën e planifikuar, derisa kërkoi që të protestohet në mënyrë të qetë dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provikimeve.

    “Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhej në komunikatë.

    Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë ditës vizitoi veriun, e nga atje ai tha se Policia e Kosovës është duke përmbushur me përkushtim detyrat e saj, për të siguruar ambient të qetë për të gjithë qytetarët.

    “Policia e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si e tillë, ajo do të vazhdojë të kryejë misionin e saj me gatishmëri të plotë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim”, tha Sveçla.

    Protesta në veri nisi me këngë dhe motive nacionaliste, ku krahas tyre nuk munguan edhe posterët me mbishkrimin “Putini në Kosovë”.

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në fjalimin e tij bëri thirrje për formim të Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqje të Qeverisë së Kosovës nga vendimi për targat.

    Rakiq gjithashtu tha se ata “mbronin Marrëveshjen e Brukselit dhe të drejtën ndërkombëtare publike”.

    Ndërsa në këtë tubim, Liljana Stefanoviq, ish-gjyqtarja e suspenduar serbe tha se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë larguar nga sistemi gjyqësor i Kosovës.

    “Ne vendosëm unanimisht të largohemi nga sistemi gjyqësor dhe t’i bashkohemi të gjithëve në këtë luftë. Vendimi ynë është i qartë. Mendoj se jemi ambasadorët më të mirë të gjyqësisë serbe”, tha Stevanoviq.

    Protesta e mbajtur përfundoi pa incidente dhe turma u largua qetësisht nga sheshi “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut.

    Pas protestës, të gjithë zyrtarët policorë në krye me Listën Serbe shkuan në stacionin policor ku dhe dorëzuan dorëheqjet.

    Në arsyetimin e tyre thuhet se po dorëhiqen për arsye morale.

    Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetim.

    Të shtunën, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq u dorëhoq nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës. Njëjtë vepruan sot edhe kryetarët e katër komunave serbe, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Të gjitha këto erdhën pas suspendimit të Drejtorit Rajonal të policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.

    Për situatën në veri kanë reaguar edhe sot vetë Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Presidenca përmes shefit të stafit të Vjosa Osmanit, Blerim Velës.

    Kurti njoftoi për telefonatën me shefin e BE-së, Josep Borelll dhe tha se ka pasur “një bisedë të mirë” me të, ndërsa theksoi se nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve.

    Kreu i Qeverisë gjithashtu bëri të ditur se ka njoftuar Shefin e BE-së se deri tani policia në pikat kufitare ka shqiptar 843 fletëqortime për qytetarët serbë sa i përket targave ilegale.

    “Mbrëmë vonë pata një bisedë të mirë me Joseph Borrell. Nuk ka rrugë tjetër ndaj dialogut dhe institucioneve. E njoftova se janë shqiptuar 834 fletëqortime për drejtuesit e makinave me targa pa leje, 0 incidente apo ankesa”, shkroi Kurti në Twitter.

    Nga ana tjetër, Vela deklaroi se serbët vendor të Kosovës nuk i janë bashkuar masivisht protestës së organizuar nga Serbia në veri të Mitrovicës.

    “Është e qartë se njerëzit atje, si kudo në Kosovë duan paqe dhe prosperitet për familjet e tyre dhe jo dhunë. Ata nuk duan të jenë mish për top për regjimin e Vuçiqit”, shkroi Vela./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!