Avokati i Aurona Pelajt, e dyshuar për keqtrajtim ndaj një të moshuare në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ka hedhur poshtë pretendimet e avokatit të familjes së të moshuarës, se Pelaj mund të ketë ikur Gjermani.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, avokati i Pelajt, Veton Berisha thotë se klientja e tij ndodhet në Kosovë dhe nuk ka asnjë arsye të largohet nga vendi.
“Lidhur me pretendimet e avokatit Meshar Selimaj se klientja ime Aurona Pelaj ka ikur në shtetin e Gjermanisë mund të deklaroj se nuk qëndron ngase ajo gjindet në Kosovë në shtëpinë e saj, nuk ka asnjë arsye që të largohet nga Kosova”.
“Ajo është një qytetare e lire e cila mund të lëviz lirshëm pa asnjë kufizim mirëpo e njëjta gjindet këtu, sot kam komuniku me të përmes te telefonit dhe e njëjta nuk ka ndërmend të largohet nga shteti i Kosovës”, ka thënë Berisha për Reporteri.net.
Kujtojmë se ende nuk është ngritur aktakuzë e as nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri më tani në rastin e sulmit ndaj të moshuarës brenda qendrës “Orenda” në Pejë, në nëntor të vitit të kaluar.
Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.
Por ato u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Supreme më 25 nëntor të vitit të kaluar.
Aty potencohej se dy gjykatat e dy instancave më të ulëta gjyqësore nuk
kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm përkitazi me bazat e paraburgimit. /Reporteri.net/
Avokati: Aurona Pelaj mund të ketë ikur në Gjermani, hetimet s’janë kryer ende