Shtatë runde gjithsej i kanë zhvilluar Kosova dhe Serbia, nëpërmes kryenegociatorëve të tyre për dialog, për të diskutuar rreth dinarit dhe për të arritur një kompromis, por të gjitha kanë dështuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Bashkimi Evropian madje tha se nuk sheh ndonjë gatishmëri te palët për të gjetur zgjidhje.
Bashkimi Evropian tha të mërkurën Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.
“BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një komunikatë per media pas një takimi trepalësh në Bruksel.
Përfundon takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi e cilëson të dështuar
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Bislimi e cilësoi si të dështuar takimin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa Petkoviq tha se pala kosovare i “refuzoi të gjitha propozimet”.
“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Stano tha se BE-ja kishte bërë disa propozime dhe ide gjatë bisedimeve dhe se palët kishin arritur t’i tejkalonin disa dallime në mënyrë që të sigurohej dërgimi i të hollave nga Serbia në Kosovë, përfshirë pajtueshmërinë për themelimin e një entiteti biznesi në përputhje me ligjin e Kosovës, detyra e të cilit do të ishte shpërndarja e ndihmës financiare nga Serbia.
Por, sipas komunikatës, megjithëse BE-ja e kishte bërë një propozim kompromisi që i “përshtatej” qëndrimeve të palëve “në shkallë maksimale të mundshme”, palët nuk u pajtuan për disa çështje kyçe, përfshirë as për shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të entitetit të ri, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë.
Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i refuzoi të gjitha”.
“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq.
Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.
Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.
Bislimi tha se “95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale”, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia.
“Serbia ka qëllime, e para t’i legjitimojë strukturat paralele ilegale. Sipas tyre, zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem ilegal paralel, në një sistem legal paralele. Dhe në anën tjetër, sipas tyre zgjidhja është në një sistem që e siguron edhe më tej mungesën e plotë transparencës, e cila ka qenë njëra nga qëllimet e Bankës Qendrore [të Kosovës]”, tha Bislimi.
I dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, i shtati me radhë, nuk është arritur marrëveshje me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Lajçak në platformën “X” ka shkruar se është i gatshëm t’i presë Bislimin e Petkoviqin prapë kur të tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje rreth “dinarit”.
“Prita për herë të 7-të kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi implikimet e rregullores së BQK-së. Fatkeqësisht, palët nuk arritën të arrijnë marrëveshje. Jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, ka shkruar ai.
Lajçak: Jam i gatshëm t’i pres palët sërish kur të tregojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
Çështja e dinarit është shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.