×
  • Lajme
  • Lajme / Aktakuza e Prokurorisë

    Rakiq para drejtësisë për mos deklarim të pasurisë

    Reporteri
    19 Qershor 2024 | 10:20

    Politikani serb nga Kosova Goran Rakiq ka dalë të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për mos deklarim të pasurisë.

    Gjykatësja e rastit është Naime Kransiqi Jashanica.

    Në maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, për mosdeklarim të pasurisë.

    Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

    Aktakuza e cila është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.

    Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se Rakiq në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori, në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!