×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestimi i gazetarit Arben Ahmeti për dhunë ndaj gruas, Prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurie ndaj tij

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 19:48

    Autor: Rexhep Kameraj


    I arrestuar për dhunë në familje, gazetari Arben Ahmeti ndodhet ende në mbajtje.

    Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të “Kanal 10”, që të dielën u denoncua për dhunë në familje, nga bashkëshortja e tij.

    Prokuroria e ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë pas arrestimit, mirëpo ndaj të njëjtit nuk ka kërkuar caktimin e ndonjë mase tjetër sigurie.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net.

    “Unë mund të ju konfirmoj se, deri në orën 16:00, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për caktim të masës”, tha Gashi.

    Ndërkaq, avokati i Ahmetit, Besnik Berisha, ka deklaruar se gazetari nuk është liruar ende nga ndalimi 48 orësh, derisa edhe ai rikonfirmoi se nuk ka kërkesë për masë shtesë sigurie ndaj të dyshuarit.

    “Ajo që ka ndodh është relacion normal, ne aspektin që veprimet e tij janë krejtësisht normale të një bashkëshorti të përgjegjshëm, edhe të një prindi të përgjegjshëm, që ka dashtë me evitu. Gjithsesi, përveç që e dënon dhunën, respektin edhe punën institucioneve të drejtësie. Do duhej të ishte i liruar, sepse nuk ka asnjë kërkesë për masë të sigurisë, përveç që nuk ka qenë i nevojshëm për bindjen time ka qenë edhe i kundërligjshëm”, deklaroi Berisha për Gazetën Online Reporteri.net.

    Dhunë ndaj gruas së tij në sy të fëmijëve, arrestohet gazetari Arben Ahmeti – deklarohet policia dhe avokati i tij

    Sipas tij, ky rast nuk ka të bëjë me dhunë, mirëpo se është thjesht një mosmarrëveshje verbale e çastit.

    “Absolutisht nuk ka të bëjë më sulm, absolutisht nuk ka të bëjë me dhunë, nuk ka të bëjë me ndonjë veprim të kundërligjshëm, një mosmarrëveshje e çastit verbale. Prokuroria e motivuar prej praktikave të përditshme për të parandaluar situata që i dënojmë gjithë, e ka ndalu po jo që Arbeni ka kry krim ose që do të dëshmohet ndonjëherë që ka kry krim”, tha Berisha.

    Gazetari Arben Ahmeti është arrestuar të dielën e 25 shtatorit në Llapnasellë nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, në sy të familjes.

    Viktima, bashkëshortja e Ahmetit, ka pranuar tretman mjekësor.

    Reagon RrGK: Të caktohet masa e sigurisë ndaj Arben Ahmetit, dhe të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse

    “Laplesellë 25.09.2022 – 18:15. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë në familje me ç’rast viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia në raportin 24-orësh.

    Ndaj arrestimit të gazetarit Arben Ahmeti pas dyshimit për dhunë të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, kanë reaguar edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

    Në një njoftim për media, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj Ahmetit, duke i caktuar masë të sigurisë.

    “Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.

    Gjithashtu nga RrGK kërkojnë që Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet, duke mos qenë i pranishëm në debate televizive.

    “Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë”, thuhet tutje në njoftim.

    “Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte. RrGK kërkon që raste t e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti”

    Po ashtu, bëjnë thirrja që viktima të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme, dhe se siç thonë “RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti”.

    “Bëjmë thirrje që gjatë punës me viktimën e dhunës në familje të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme. RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave e grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.
    RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!