×
  • Lajme
  • Lajme / Nga data 6 shtator

    Grupe nacionaliste serbe organizohen për t’i bllokuar pikat kufitare me Kosovën

    Reporteri
    01 Shtator 2024 | 18:41

    Një grup në rrejtin social “Telegram”, me mbi 6400 anëtarë nacionalisë serbë, po paralajmrojnë dhe organizojnë bllokimin e të gjitha pikave kufitare me Kosovën. Aksionin sipas njoftimit të shpërndarë në grupin në Telegram, parashihet të nisë të premten e ardhshme, më 6 shtator. Paralajmërimi vjen vetëm pak ditë pas mbylljes së pesë komunave ilegale serbe në Veri nga Policia e Kosovës.

    Ky paralajmërim u dha në grupin me emrin “Korridor”, i cili ka mbi 6400 anëtarë në rrjetin social Telegram. Aty po u bëhet thirrje qytetarëve serb që të organizohen dhe nga data 6 shtator të fillojnë me bllokimin e të gjitha pikave kufitare me Serbinë.

    Sipas njoftimit, pikat kufitare që këta nacionalistë serbë po planifikojnë t’i bllokojnë janë: Bërnjaku, Jarinja, Merdarja, Dheu i Bardhë dhe e Kullës, shkruan Reporteri.net.

    Në këtë grup shkruhet se për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë për t’i bllokuar pikat kufitare me Kosovën do të organizohet transporti nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja dhe Rashka.

    Ky grup paralajmëron se veprimet do të ndërmerren deri në siç thuhet në thirrjen e tyre për “largimin përfundimtar të terroristëve të Kurtit nga pjesa veriore e Kosovës në pjesën jugore përtej Ibrit”.

    Grupi “Korridor” në Telegram ka kohë që funksionon, shkruan gazeta online Reporteri.net. Aty përveç që shpërndahen materiale propaganduese dhe nacionaliste serbe kundër Kosovës, jepen edhe njoftime rreth zhvillimeve në veri të Kosovës, me qasje dezinformuese dhe nxitëse.

    Kujtojmë se të premten në orët e pasdites Policia e Kosovës zhvilloi një aksion policor në veri të vendit ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale. Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni është realizuar bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.

    Por zhvillimi i këtij aksioni zhgënjeu tej mase aleatët ndërkombëtarë, ku reaguan Ambasada e SHBA-së në KosovëGjermanisë, Britanisë të Madhe, e Francës si dhe Zyra e BE-së në Kosovë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!