×
  • Lajme
  • Lajme

    Hulumtimi i Gazetës Reporteri për Martin Berishajn bën bujë në Slloveni, “Demokracija”: A i pastroi Ambasadori i Kosovës 2 milionë Euro me ndihmën e GEN-I në Beograd?

    Reporteri
    01 Qershor 2022 | 17:45
    Ambasadori i 2 milionë Eurove - Reporteri - Martin Berishaj

    Hulumtimi i Gazetës Online Reporteri.net që dokumentoi se si afër 2 milionë Euro kishin hyrë brenda më pak së 5 vite në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi, është botuar së fundi edhe nga një medium në Slloveni.

    Portali i revistës së njohur të krahut të djathtë në Slloveni, “Demokracija.si”, të mërkurën i ka ri-publikuar në sllovenisht të gjeturat e hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net të publikuar më 3 maj 2022.

    Në titullin e ri-publikimit në gjuhen sllovene të hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net, “Demokracija.si” shkon më tutje. Ngreh direkt dyshime nëse ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pastruar para përmes kompanisë së tij në Mal të Zi dhe degës së GEN-i në Beograd.

    Afera që rëndon mbi kryeministrin e ri. A ka pastruar para ambasadori i Kosovës në Kroaci përmes një kompanie në Mal të Zi dhe degës së GEN-I në Beograd?”, e ka titulluar mediumi slloven hulumtimin e Gazetës Online Reporteri.net.

    Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi

    Hulumtimi në fjalë, kishte dokumentuar se si afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020. Gazeta Online Reporteri.net zbuloi se ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.

    Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj ende nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje.

    Nga ana tjetër, televizioni slloven “Planet TV” kishte raportuar para më shumë se 1 muaji, se mbi gjysmë milion eurot, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.

    Ky televizion kishte dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

    “Demokracija.si” është portal në kuadër të revistës javore “Demokracija”, me qendër në Lubjanë, dhe e cila botohet në Slloveni nga viti 1990.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!