Liburn Aliu ia vazhdoi mandatin Izedin Bytyqit në ditën kur ky e shfuqizoi vendimin për anulimin e ‘tiketave ngjitëse’

Më 7 qershor të këtij viti, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, ka anuluar vendimin e marrë në vitin 2019, i cili ndalonte vendosjen e taksës prej pesë eurove për secilin automjet që regjistrohet në Kosovë.


Në po të njëjtën ditë, Bytyqi ‘u shpërblye’ nga vartësi i tij, ministri Liburn Aliu, i cili jashtëligjshëm ia vazhdoi edhe për gjashtë muaj mandatin si ushtrues të detyrës së sekretarit të këtij dikasteri, shkruan Reporteri.net.

Izedin Bytyqi ishte akuzuar publikisht nga ish-Ministrja e Fiannacave, Hykmete Bajrami, për implikim në rastin e vjedhjes së 2.1 milionë Eurove në Thesarin e shtetit.

Fajtor sipas ish-ministres Bajramit, që llogaria e këtij zyrtari ishte ende aktive edhe nëntë muaj pasi ai nuk punonte në këtë ministri ishte sekretari i MI-së, Izedin Bytyqi, shkruan Reporteri.net.

E Izedin Bytyqi, në një konferencë për media, ku prezent ishte edhe ministri i kësaj ministrie, Arban Abrashi, i pati quajtur dezinformata pretendimet e ish-ministres Bajrami.

Ndërkohë Gazeta Blic sot e e ka publikuar vendimin e sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Izedin Bytyqi, i cili mban datën 7 qershor 2021, e përmes të cilit anulohet vendimi i kësaj ministrie i marrë në tetor 2019, kohë kur kjo ministri drejtohej nga Pal Lekaj i AAK-së.

Në vendimin e siguruar thuhet se “Anulohet vendimi nr. 1/11756, I datës 04.10.2019 për Anulimin e Raportit nr.07/10612 datë 12.11.2018 të komisionit për vlerësimin e ofertave për shërbimin me ‘Tiketë Ngjitëse”.

Në arsyetimin e këtij vendimi, sekretari Bytyqi jep dy arsye kryesore.

E para ka të bëjë me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe e dyta, ka të bëjë me Zyrën Ligjore të Kryeministrit të Kosovës.

“Vendimi i datës 04.10.2019 (i cili mban edhe datën 04.11.2019) i marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, i referohet anulimit të Raportit të komisionit të vlerësimit të ofertave për shërbimin me “Tiketë Ngjitëse”, që si akt real nuk mund të anulohet me një akt administrativ (vendim), dhe si i tillë ky vendim bie në kundërshtim me LPPA”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit të sekretarit Bytyqi.

/Reporteri.net