Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës gjatë të premtes së kaluar për mbylljen e pesë institucioneve paralele ilegale në veri të vendit, që u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare.
Krasniqi ka thënë se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen këto komuna paralele, derisa shtoi se mbyllja e tyre nuk do të duhej të ishte lajm pas kaq viteshm, shkruan Reporteri.net.
“Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele… Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, ka deklaruar Krasniqi në RTK.
Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës ka koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Unë e mirëkuptoj nevojën për koordinim dhe unë besoj që ne kemi një koordinim. Të gjithë kanë qenë të njoftuar për veprimet që do të ndërmarren, mirëpo nuk ka asnjë argument pse ata duhet të lejohen të veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo tashmë është e pakuptimtë”, deklaroi ai.
Ai tha se objektet e liruara do të shfrytëzohen për kërkesat e qytetarëve atje e po ashtu për nevojat që ata do t‘i kenë.
“Tashmë janë mbyllur këto 5 institucione ilegale në veri dhe u bashkohen edhe shtatë të tjerave të cilat janë mbyllur më herët me një veprim të përbashkët të institucioneve të Kosovës”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se objektet e liruara janë kryesisht në pronësi të komunave të Kosovës dhe tashmë kanë institucionin që do të veprojë në objektin e liruar dhe aty do të veproj Qendra Rajonale e trajnimeve për Patentshoferë.
“Tashmë jemi duke punuar në nivel lokal dhe qendror që kërkesave të qytetarëve tu jemi sa më afër edhe me objekte të liruara në mënyrë që tu përgjigjemi sa më mirë qytetarëve atje”, tha Krasniqi.
Ndryshe, Ambasada e ShBA’së në Kosovë reagoi ashpër të premten lidhur me aksionin e Policisë mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale, duke shprehur shqetësim dhe zhgënjim.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Në reagimin e ambasadës u tha se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.