Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës, përfshirë edhe mërgimtarëve që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, që të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reporteri.net.
Apeli i MPJD vjen pas paralajmërimit për bllokada të pikëkalimeve kufitare.
“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri”, thuhet në reagim.
Lidhur me këtë paralajmërim është deklaruar edhe KFOR-i, ku ka thënë se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme”.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi të dielën se si një grup në rrejtin social “Telegram”, me mbi 6400 anëtarë nacionalisë serbë, po paralajmërojnë dhe organizojnë bllokimin e të gjitha pikave kufitare me Kosovën. Aty u bëhet thirrje qytetarëve serb që të organizohen dhe nga data 6 shtator të fillojnë me bllokimin e të gjitha pikave kufitare.
Në këtë grup shkruhet se për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë për t’i bllokuar pikat kufitare me Kosovën do të organizohet transporti nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja dhe Rashka.
Ky grup paralajmëron se veprimet do të ndërmerren deri në siç thuhet në thirrjen e tyre për “largimin përfundimtar të terroristëve të Kurtit nga pjesa veriore e Kosovës në pjesën jugore përtej Ibrit”.
Grupi “Korridor” në Telegram ka kohë që funksionon. Aty përveç që shpërndahen materiale propaganduese dhe nacionaliste serbe kundër Kosovës, jepen edhe njoftime rreth zhvillimeve në veri të Kosovës, me qasje dezinformuese dhe nxitëse.
Grupe nacionaliste serbe organizohen për t’i bllokuar pikat kufitare me Kosovën