Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për Fondin Sovran. Gjatë prezantimit të këtij projektligji, kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria qëndron fuqishëm pas kësaj nisme, me besimin se do të rezultojë në stabilizim të ekonomisë.
Këtë Projektligj e ka paraqitur para ministrave, kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë.
“Sot është mbledhja e 145-të e Qeverisë sonë. Për trajtim kemi një prej projektligjeve më të rëndësishme i cili na mundëson realizimin e projektit më të madh ekonomik që vendi ynë ka ndërmarrë, Fondin Sovran.
Nga viti 2017, janë bërë më shumë se 6 vjet prej kur për herë të parë si Lëvizje VETËVENDOSJE! kishim prezantuar idenë dhe projektin e Fondit Sovran. Prej atëherë ai ishte pjesë qendrore e programeve tona zgjedhore e qeverisëse, përfshirë edhe programin e Qeverisë Kurti 1.
Prej idesë, në koncept. Prej zotimit, në projekt. Fondi Sovran po bëhet.
170 shtete të botës, nga rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000.
Ndërmarrjet tona publike, së bashku me 24 mijë asete tjera do të barten nga qeveria në Fond. Kjo do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kësisoj, Qeverinë po e bëjmë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur. Fondi Sovran do të na vendosë në hartën e tregjeve botërore financiare. Ai do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Themelimi i Fondit Sovran ka qenë një prej premtimeve kryesore të kryeministrit Albin Kurti, bashkë me Bankën Zhvillimore. /Reproteri.net/