×
  • Lajme
  • Lajme / Takim mes kryenegociatorësh

    Paralajmërimet për takime të reja Kosovë-Serbi dhe normalizim marrëdhëniesh

    Reporteri
    05 Mars 2024 | 23:00

    I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, paralajmëroi të martën një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb, që çoi në mospajtime të thella ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe diplomatëve perëndimorë.

    Lajçak i cili bisedoi për më shumë se dy orë me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel në të cilin u diskutua çështja e dinarit gjetur përgjigje në disa çështje.

    “Janë disa pikëpyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me zotin Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj organizimin e një takimi të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak.

    Bislimi: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut, Serbia të vazhdojë mbështetjen financiare për serbët e Kosovës

    Në takimin e 27 shkurtit në të cilin Serbia përfaqësohej nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviq, nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili.

    Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.

    Qëndrime të kundërta në takimin mes Lajçakut dhe Bislimit për dinarin

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

    Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Kosovën dhe kanë paralajmëruar se partneriteti ndërmjet dy qeverive, është dëmtuar me qasjen e saj ndaj çështjes së dinarit.

    Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përkojnë me një vjetorin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

    Marrëveshja e mbështetur nga perëndimi u kërkon palëve të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës si dhe zbatimin të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.

    Lajçaku ritheksoi sot se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

    “Kjo marrëveshje është më e mira që mund të kishin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë?. E vetmja cështje që mbetet e hapur është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të fillojë të zbatohet”, tha Lajçak.

    Në tetor të vitit të kaluar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij dhe ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

    Ata i paralajmëruan të dyja palët se zbatimi i marrëveshjes është në thelb të rrugëtimit të tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    Lajçak çoi ftesë për takim në Bruksel rreth dinarit, Besnik Bislimi e refuzon: Caktoi temë pa dakordim me mua

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!