×
  • Lajme
  • Rajon

    Bisedime intenzive për dialogun në Prishtinë e Beograd

    Reporteri
    20 Janar 2023 | 22:37
    Fotografi ilustruese

    Pesë diplomatë nga Perëndimi ‘zbarkuan’ të premten në Prishtinë e pastaj në Beograd për të zhvilluar takime me liderët e të dy palëve rreth hapave të mëtejmë në procesin e dialogut. Kjo vizitë erdhi pas paralajmërimit për një janar intenziv, ku emisarët do të vazhdonin përpjekjet për të siguruar një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë në normalizim të raporteve përmes propozimit të BE’së.

    Pista e parë për të pesë diplomatët perëndimorë ishte Prishtina.

    Në zyrë të kryeministrit Kurti shkuan përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    As Kurti s’ishte i vetëm në takim, pasi u shoqërua nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Takimi i pesëshes diplomatike me kryeministrin Kurti filloi prej orës 10:00, e zgjati për më tepër se dy orë.

    Propozimi i BE’së e themelimi i Asociacionit, tema bazë të diskutimit në Prishtinë

    Me t’u kryer ky takim, i pari që ndau detaje për atë se çka u diskutua ishte emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, i cili kur doli nga zyra e Kurtit bashkë me katër diplomatët të tjerë, jashtë derës po e prisnin një grumbull gazetarësh të interesuar se çka prodhoi ky takim.

    Lajçak nuk e zgjati shumë, por megjithatë tha se kishin pritur më tepër mirëkuptim nga kryeministri Kurti mbi mundësitë që ofron plani për marrëveshje i propozuar nga BE’ja, i ashtuquajtur propozim franko-gjerman.

    “Nuk mund të them shumë, por mund të them se kemi pritur mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj se do të arrijmë aty. Ne do të vazhdojmë të punojmë”, tha Lajçak para mediave.

    Ndërsa kryeministri Kurti teksa njoftoi për takimin, tha se propozimin e BE’së e konsideron si “bazë të mirë” për të vazhduar bisedimet në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, transmeton Reporteri.net.

    Këtë përshtypje mbi propozimin, Kurti e ka përsëritur edhe herë të tjera, praktikisht qysh prej momenteve të para kur ishte bërë publik ky propozim.

    Pjesë kyçe e takimit në Prishtinë ishte edhe diskutimi mbi formimin e Asociacionit, që ndërkombëtarët vazhdojnë ta kërkojnë ndërsa Kurti vazhdon ta refuzojë.

    Në komunikatë të kryeministrisë, kjo pjesë e diskutimit u cilësua si diskutim mbi të drejtat e pakicave.

    Takimi i kryeministrit Kurti me 5-shen diplomatike në Prishtinë. 20.01.2023.

    “U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel”, shkruhej në komunikatë.

    “I kaluam më shumë se dy orë, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por ishte i sinqertë dhe i hapur”, deklaroi ndër të tjera Lajçak pas takimit me Kurtin.

    Çfarë u tha në Beograd?

    Të pesë diplomatët, menjëherë pasi përfunduan misionin e tyre në Prishtinë, u nisën drejt Beogradit, ku po i priste presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Edhe pas këtij takimi, Lajçak evidentoi vështirësinë në bisedë me të cilën u përballën.

    Megjithatë, pavarësisht vështirësisë, Lajçak tha se Vuçiq u tregua i përgjegjshëm dhe i gatshëm të marrë vendime të vështira në emër të paqes në rajon.

    “Patëm një bisedë intensive, të vështirë, por edhe të hapur. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tregoi një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë”, tha Lajçaku pas takimit me presidentin e Serbisë dhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, raporton N1, shkruan Reporteri.net.

    Takimi i presidentit Vuçiq me 5-shen diplomatike në Beograd. 20.01.2023.

    Çështja e Asociacionit s’kishte si të mungonte as gjatë bisedës së diplomatëve me Vuçiqin.

    Ky i fundit ua bëri të qartë edhe njëherë se e ka në interes për komunitetin e serbëve në Kosovë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Madje tha se formimin e Asociacionit e sheh si çelës të kthimit të serbëve në institucione dhe bisedimet e mëtejme për normalizim.

    “Besojmë se është koha e fundit të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, i cili jo vetëm që është premtuar, por edhe është nënshkruar 10 vjet më parë, dhe është urgjente, sepse vetëm pas kësaj është i mundur kthimi në institucione dhe bisedimet për një normalizim të situatës”, tha Vuçiq.

    Në të njëjtin mendim me Vuçiqin ishte edhe Lajçak, i cili ka deklaruar se Asociacioni është pikë kyçe për të arritur stabilitet në rajon, e propozimi i BE’së mënyra më e mirë për të siguruar normalizim të raporteve.

    Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Ne jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe perspektivës evropiane të rajonit. Ne vazhdojmë të punojmë”, tha Lajçak.

    Presidenti serb Vuçiq pati edhe një deklaratë tjetër të fuqishme pas takimit në Beograd me ‘artilerinë’ e diplomatëve.

    Ai deklaroi se është i gatshëm ta pranojë propozimin e BE’së, por se ka rezerva në një pikë.

    Këtë të fundit s’e përmendi, pasi as vetë propozimi nuk është bërë ende publik.

    “Sigurisht që s’mund të flas për të sepse propozimi s’është publik”, tha Vuçiqi të premten pasdite.

    Lajçak: Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton implementim të të gjitha marrëveshjeve

    Për vizitën e tij dhe të diplomatëve të tjerë në rajon, Lajçak njoftoi edhe përmes një shkrimi në rrjetin social, Twitter.

    Lajçak tha se qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutoheshin hapat e mëtejmë drejt normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në propozimin e BE’së, atë franko-gjerman, shkruan Reporteri.net.

    “Bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme nga Franca, Gjermania dhe Italia si dhe Escobarin nga SHBA, udhëtuam në Kosovë dhe Serbi sot për t’i diskutuar hapat drejt normalizimit bazuar në propozimin tonë”, shkroi Lajçak në Tëitter.

    Tutje, emisari i BE’së sqaroi se normalizimi do të mund të arrihet duke u implementuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara.

    “Kjo do të thotë po ashtu implementim të të gjitha marrëveshjeve. Planifikoj t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti”, ka shkruar Lajçak.

    Çka i parapriu vizitës së 5-shes diplomatike në rajon?

    Para se pesë diplomatët evropianë-amerikanë të vinin në Kosovë e Beograd, për vizitë ishte edhe Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet bashkë me një delegacion të tijin nga DASh.

    Në përpjekje për të kthyer në binarë çështjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rëndësinë e përmbushjes së obligimeve në këtë proces, Chollet zhvilloi takime me të dy liderët – me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Chollet, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ndau disa deklarata të forta lidhur me Dialogun, nevojën për themelimin e Asociacionit si dhe për të ardhmen e Kosovës në strukturat euroatlantike.

    Këshilltari amerikan tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në moment kritik. I njëjti kërkoi angazhim të plotë të të dy palëve në dialog.

    Këshilltari Derek Chollet dhe delegacioni i DASh në takim me kryeministrin Kurti në Qeveri. 11.01.2023.

    Ai po ashtu ia kujtoi kryeministrit Kurti se puna e themelimit të Asociacionit është “urgjencë e madhe”.

    Mesazhe të forta këshilltari amerikan la edhe gjatë vizitës së tij në Beograd.

    Në një diskutim me gazetarë në Beograd, Chollet u pyet për marrëdhëniet SHBA-Serbi, për të cilat ai tha se janë “të forta dhe strategjike”, por që mund të pengohen, nëse nuk zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai paralajmëroi serbët se nëse shkaktohet ndonjë krizë në Kosovë, kjo do ta pengojë bashkëpunimin ShBA-Serbi.

    Së fundmi, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se Serbia e ka shkelur marrëveshjen e dakorduar në Bruksel për targat, ku ka ri-regjistruar vetura me targa ilegale në dhjetor të vitit të kaluar, një muaj pasi u arrit marrëveshja.

    Kësisoji, Sveçla njoftoi se këto vetura nuk do të lejohen të qarkullojnë, çka Chollet cilësoi se mund të çojë në një krizë. /Reporteri.net/.

    Shkelet marrëveshja për targat, Serbia regjistroi vetura me targa ilegale edhe pas nëntorit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!