Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinë, Arben Vitia ia ka lënë fajin kohës së shkurtër të fushatës vetëm prej dhjetë ditësh për shkuarjen në balotazh.
Ai tha se do të ishte befasi po të fitonte me vetëm 10 ditë fushatë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“E para dallon koncepti dhe mënyra prej zgjedhjeve lokale dhe nacionale me rëndësi se VV ka shënuar progres të dukshëm nga zgjedhjet lokale të vitit 2017. Sa i përket Prishtinës është një rezultat i pritur dhe natyrisht se me 10 ditë fushatë është një rezultat që e vlerësojë pa masë, sepse ka treguar kulturë të jashtëzakonshme të votuesit i cili na ka dhënë një shanse që në pjesën e balotazhit të shpjegojmë më mirë çfarë do të bëjmë në Prishtinë. Prapë po them se kjo tregon se sa i emancipuar është votuesi i Prishtinës dhe natyrisht se me dhjetë ditë fushatë votuesi i Prishtinës nuk bindet. Me 10 ditë fushatë së paku unë e kam besuar se do të jetë jashtëzakonisht vështirë dhe do të ishte befasi të fitoja në raundin e parë.”, ka thënë ai në Rubikon të Klan Kosovës.
Kujtojmë se Vitia ka hyrë në fushatë vetëm në dhjetë ditët e fundit për shkak të pozitës së tij si ministër i Shëndetësisë.
Arben Vitia do të përballet në balotazh me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.