Deputeti shqiptar i Parlamentit të Cyrihut, Përparim Avdili i ka dhënë mbështetje kandidaturës së Përparim Ramës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës.
Ai ka thënë se kryeqyteti i Kosovës ka nevojë për një njeri profesionist si Përparim Rama.
Sipas tij Prishtina nuk duhet ta humbasë këtë mundësi që po i ofrohet.
“Më shumë se Përparim Rama ka nevojë për detyrën për të cilën po garon, Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën si kryetar i saj. Nëse një qyteti dhe një zone urbane i duhet një politikë e cila zgjidh probleme konkrete dhe nuk merret me ideologji qorrësokakësh, atëherë Përparim Rama është përgjigjja.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se Rama ka kompetencat e padiskutueshme për t’i shërbyer dhe për t’a menaxhuar, si kryeqendër urbane të vendit tone
Avdili është shprehur se politika në vendet e zhvilluara sjellë vazhdimisht në skenë profile jashtëzakonisht interesant.
“Profesionistë të fushave të ndryshme, që e kanë dëshmuar veten shpesh herë dhe me konsistencë. Kanë krijuar vende pune, kanë realizuar projekte që jehojnë edhe me vite të tëra. Kur këta persona me bagazhin e tyre profesional përfshihen në politikë, e gjithë përvoja dhe arritja e tyre individuale shndërrohet në investim për të gjithë shoqërinë.”, ka theksuar deputeti liberal Abdili.