E konfirmon Rufki Suma: Do të jem kandidat për kryetar të Hanit të Elezit edhe në zgjedhjet e 17 tetorit

Rufki Suma është kandidati i vetëm i pavarur që fitoi besimin e qytetarëve të Hanit të Elezit për tre mandate radhazi, dhe atë pa bërë fare fushatë.


Suma ka vendosur që të garojë edhe për mandatin e katërt për kryetar të Hanit të Elezit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Ai këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net”.

“Po kam vendosur të kandidoj edhe për zgjedhejt lokale të 17 tetorit”, ka thënë Suma për Reporterin.

I pyetur nëse beson se do të fitojë sërish garën për kryetar, ai ka thënë se kjo varet nga vullneti i qytetarëve.

“Varet nga vullneti qytetarëve, ata duhet të vlerësojnë. Kemi bërë punë aq sa ka qenë e mundur dhe në kompetencë”, ka deklaruar Suma.

Ai ka bërë të ditur se as në zgjedhjet e 17 tetorit nuk do të bëjë fushatë.

“Jo fushatë nuk do të bëjë, do të jetë njejtë si edhe në zgjedhjet e kaluara lokale kur kam kandiduar, pra pa bërë fushatë”, tha Suma.

Kurse për kundërkandidatët e tij, Suma ka thënë se i respekton dhe i vlerëson të gjithë.

Kujtojmë se Suma ka fituar zgjedhjet e vitit 2009, 2013 dhe ato të vitit 2017. /Reporteri.net/.