×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Hamiti, LDK: Deklarata e Përparim Ramës për liqenin u keqkuptua

    Reporteri
    22 Shtator 2021 | 23:08

    Që nga dje, kryeprotagonisti i komenteve në rrjete sociale është kandidati i LDK-së, Përparim Rama. Kjo pasi në një intervistë për një televizion ku Rama shpalosi programin e tij për mandatin katër vjeçar, pati një premtim të padëgjuar më parë e tepër befasues, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.


    Gjatë intervistës pranë stadiumit kombëtar “Fadil Vokrri”, Rama, që për nga profesioni është arkitekt, premtoi që me ardhjen e tij në krye të Prishtinës, stadiumi ku kombëtarja e Kosovës luan ndeshjet, do të shndërrohet në liqe. Natyrisht, artificial.

    “Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ mund të zhvendoset diku tjetër dhe të bëhet më modern, më super-atraktiv”, ka thënë Përparim Rama.

    “Aty ku tani ndodhet stadiumi mund të krijohet një liqe”, shtoi ai.

    E pas kësaj deklarate anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka dhënë një sqarim.

    Në sqarimin e tij Hamiti ka thënë se deklarata e Ramës është keqkuptuar.

    “Ka shkaktuar keqkuptime një ide e Përparim Ramës, kandidat për kryetar të Prishtinës, që e shpalosi ai në një intervistë televizive, për mundësinë e ndërtimit të një liqeni artificial (park) në Prishtinë në një të ardhme jo të afërt, në pjesën e kryeqytetit ku gjendet aktualisht Stadiumi “Fadil Vokrri”, Do vënë në pah se Përparim Rama dhe LDK-ja nuk e kanë paraparë projektin e ‘liqenit’në Programin 2021-2025, me të cilin garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit, siç mund ta shohë kushdo që e ka lexuar ose e lexon këtë program, që është bërë tashmë publik për të gjithë. Ka në këtë Program të Përparim Ramës projekte të mëdha që do ta transformojnë kryeqytetin dhe gjithë komunën e Prishtinës, por aty nuk është ideja e përfolur për keq – do të doja të besoja, pa të keq – mbasi komentet kanë qenë tallëse nga disa komentatorë.”, ka shkruar Hamiti në Facebook.

    Ky është sqarimi i tij i plotë:

    Përpjekje për të sqaruar keqkuptimet rreth ‘liqenit’ në Prishtinë
    Ka shkaktuar keqkuptime një ide e Përparim Ramës, kandidat për kryetar të Prishtinës, që e shpalosi ai në një intervistë televizive, për mundësinë e ndërtimit të një liqeni artificial (park) në Prishtinë në një të ardhme jo të afërt, në pjesën e kryeqytetit ku gjendet aktualisht Stadiumi “Fadil Vokrri”,

    Do vënë në pah se Përparim Rama dhe LDK-ja nuk e kanë paraparë projektin e ‘liqenit’në Programin 2021-2025, me të cilin garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit, siç mund ta shohë kushdo që e ka lexuar ose e lexon këtë program, që është bërë tashmë publik për të gjithë. Ka në këtë Program të Përparim Ramës projekte të mëdha që do ta transformojnë kryeqytetin dhe gjithë komunën e Prishtinës, por aty nuk është ideja e përfolur për keq – do të doja të besoja, pa të keq – mbasi komentet kanë qenë tallëse nga disa komentatorë.

    Për t’u kthyer te deklarata e Përparim Ramës. Pas pyetjes së gazetarit, ai ka thënë në emisionin në fjalë se në vizionin e tij, një ditë në të ardhmen, mbasi të jetë ndërtuar qendër e sporteve në periferi të qytetit, duke përfshirë edhe Stadiumin, do të mund të mendohej që në atë vend (te Sadiumi Fadil Vokrri) të mund të bëhet liqen artificial. Sigurisht jo i madh, një liqen me karakter rekreacional, ka menduar ai, siç ka në qytete të tjera në Evropë dhe gjetiu. (Shembuj: Hyde Park dhe Regent’s Park në Londër, do të shtonim ne).

    Pse liqen i tillë artificial (park) mu aty? – shtrohet pyetja. Sepse bri Stadiumit aktual, në anën veriore të tij, bëhen bashkë lumenjtë Vellusha dhe Prishtina (‘Prishtevka’), aktualisht lumenjë nëntokësorë, sepse janë mbuluar. Uji i këtyre dy lumenjve do të furnizonte liqenin rekreacional, i cili do të ofronte mundësi për rekreacion të qytetarëve në një hapësirë disahektarëshe në zemër të qytetit.

    Edhe një herë, një ide e tillë do të realizohej po të kishte pëlqimin e qytetarëve të Prishtinës, mbasi të jetë ndërtuar hapësirë më e madhe dhe më e përshtatshme për futboll e sporte të tjera në periferi të qytetit, një lloj kampusi i sporteve, duke përfshirë ndërtimin e Stadiumit të Prishtinës, të cilin e kishte paraparë komuna jonë në planin e vet strategjik, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë tashmë lokacionin për të.

    Besoj se qytetarët e Prishtinës do të kenë rastin ta lexojnë Programin zgjedhor të Përparim Ramës e të dëgjojnë për të, edhe nga vetë kandidati për kryetar, në javët në vijim. Duke e parë këtë Program dhe duke njohur njeriun që do të marrë besimin për ta realizuar – duke e krahasuar edhe me programe të kandidatëve të tjerë – votuesit do të mund të bëjnë zgjedhjen që ofron zgjidhje për problemet e Prishtinës, në qytet e në fshatra.
    #PR4PR

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!